Rreth 20 piktorë nga më shumë se 10 shtete morën pjesë në edicionin e 17-të të Kolonisë Ndërkombëtare të Artit, aktivitet që zhvillohet në Pogradec prej vitit 2010.

“Është aktivitet që ka nisur që në vitin 2010 dhe është aktivitet që ka jetëgjatësi për shumë arsye, por unë do të përmendja Pogradecin, që është muzë për artistët, është muzë për krijuesit dhe është një qytet i hapur që merr kulturë edhe jep”, thotë organizatori i aktivitetit, Saimir Ahmeti.

Artistë nga Ballkani, Ukraina, Rusia, Meksika, Spanja dhe Franca sollën në telajo natyrën, liqenin dhe elementë të kulturës vendase. Mes tyre ishte edhe artistja ukrainase Anna Kostenko, për të cilën kjo eksperiencë tejkaloi pritshmëritë.

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Erdha nga Polonia, por kam lindur në Ukrainë, kështu që përfaqësoj të dyja shtetet. Kjo përvojë i tejkaloi të gjitha pritshmëritë e mia. Kam njohur artistë të jashtëzakonshëm. U argëtuam shumë dhe mësuam nga njëri-tjetri. Më pëlqen vërtet Shqipëria dhe mendoj se do të rikthehem sërish.”, thotë Kostenko.

Në një kohë kur politika shpesh ndan, artistët thonë se arti arrin të bashkojë.

“Për një artist është shumë e rëndësishme që herë pas here të takojë artistë të tjerë nga e gjithë bota, sepse shkëmbejmë përvojat tona. Pas ngjarjeve të tilla, ne e shohim artin tonë me një sy tjetër dhe kjo na jep mundësinë të zhvillohemi. Ndihem shumë komode me njerëzit në Shqipëri dhe shpresoj të rikthehem sërish.”, thotë Katerina Romanova, e cila vjen nga Rusia.

Për piktoren Dhurata Begolli, kjo është pikërisht vlera e një rezidence artistike: shkëmbimi njerëzor dhe profesional.

“Edhe pse kemi ardhur nga shtete të ndryshme, kemi pasur një larmi shumë të mirë të punëve dhe të bisedave.”, thotë Begolli.

Për artistin Alejandro Cortés, Pogradeci ishte një zbulim i ri dhe një burim i drejtpërdrejtë frymëzimi.

“Shqipëria është magjike, ka një kulturë shumë mikpritëse, njerëz shumë të dashur dhe shumë talent. Piktura ime është surrealiste dhe flet për udhëtimin që kam përjetuar këtu. Simbolet që kam parë gjatë udhëtimit i kam përfshirë në veprën time pikturike.”

Nga Ukraina e Rusia te Ballkani dhe përtej tij, artistët u bashkuan në Pogradec për të krijuar, komunikuar dhe shkëmbyer kulturë.  Punimet e realizuara gjatë kolonisë do të ekspozohen për publikun.