Robert Petoshati shoferi i kryetares së Gjykatës së Apelit në Vlorë së bashku me Myqerem Celën do të qëndrojnë në burg nën akuzën e korrupsionit me 20 mijë euro për llogari të një çështje gjyqësore, ndërsa arrest në shtëpi është vendosur për Gjolek Xhaferrin.

Sipas policisë që arrestoi në flagrancë këta tre shtetas me ndërmjetësimin e Celës, Petoshati i kish marrë Gjolek Xhaferrit paratë për të ndërhyrë në trupën gjyqësore që të jepte një vendim në favor të të afërmve të Xhaferrit.

A1Report ka mësuar se çështja gjyqësore për të cilën u paguan paratë i përket vitit 1997 ku të afërmit e Xhaferrit akuzohen për plagosje dhe grabitje me armë.

Të njëjtat burime sqaruan se treshja e gjykatësve që kishte në gjykim këtë çështje janë relatori Vasil hanxhari dhe dy anëtarët Gjinovefa Gaba dhe Skënder Damini.

Seanca për këta tre shtetas është zhvilluar pranë krimeve të rënda në tiranë ndërsa a1report ka mësuar se në masën e arrestit në shtëpi për Gjolek Xhaferrin gjykata ka marrë parasysh dhe kushtet familjare të tij ku ka në ngarkim dy prindër të paralizuar.

Arrestimi i Petoshatit dhe Xhaferrit u bë më 12 qershor në flagrancë në qytetin e Vlorës ndërsa një ditë pas tyre u kap dhe Çela i cili kish luajtur rolin e ndërmjetësit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)