Që fitorja e këngëtares 20-vjeçare po përdoret nuk e kanë pohuar vetëm analistët, intelektualët dhe gazetarët përmes titujve të shkrimeve të tyre se “Elhaida po përdoret”, se “Berisha ia ndoti fitoren Elhaidës”, dhe që “Lëreni rehat Elhaidën, se ne nuk kemi ne asnjë meritë për fitoren e saj”, por i ka shkarë goja edhe vetë Ministrit të Kulturës, zotit Zhiti, i cili i ka thënë në prani të medias dhe kantautorit italian se: “Në zyrat këtu përreth u shkrua me zell dhe gëzim ftesa për ju, edhe si dëshirë dhe përkujdes i lartë i Kryeministrit Berisha. -Do vijë, do vijë, -i thoshim njëri tjetrit me qejf.
Faleminderit që erdhët.” Pse ky ankth se mos nuk do të vinte dot Riccardo Cocciante. Ndoshta se nuk kishin çfarë të bënin vetëm me 20-vjeçaren, thjesht mund ta nxirrnin para publikut të këndonte. Pse po ia thoshin njëri-tjetrit zyrtarët e qeverisë “gjithë qejf”. Pse ky stres i punonjësve të institucioneve për të rënë pritja në sy të shqiptarëve.
Artistët po habiten me rastin Elhaida dhe Kocciante. Në rrugë anonime ata thonë shumë gjëra, por nuk guxojnë ta shprehin opinionin me emrin e tyre në gazetë. “Këto janë gjëra që dihen”, thonë dhe asgjë më shumë. C’janë këto gjëra që dihen, pas pyetjes se “Në opinionin publik është krijuar ideja se Elhaida po përdoret për fushatë, çfarë mendoni?”.
Me një logjikë të thjeshtë, mendimi i tyre është që imazhi i Elhaida Danit dhe Cocciante-s “po përdoren”, por mos “na prishni punë” se nuk japim asnjë koment më tepër. Disa edhe “na ndihmojnë” me këshillën “unë s’mund të flas dot, por pyet ndonjë tjetër” dhe mbyllin telefonin. Janë përdorur apo s’janë përdorur Elhaida Dani dhe Riccardo Cocciante për fushatë, është çështja?
Dimë që Shqipëria ka dhjetëra artistë me famë botërore, që fitojnë dhe triumfojnë në skena shumë më prestigjioze se spektakli italian i këngës, me një begraund të madh (pa ia ulur aspak vlerat Elhaidës), me një karrierë që ka kërkuar sakrifica, uri, dhimbje, lot mërgimi, si në rastin e këngëtarëve të operës Saimir Pirgu, Agim Hushi, Ermonela Jaho, etj, ose të instrumentistëve të shquar me famë botërore si Olen Cesari, Tedi Papavrami, etj.
Nuk mbahet mend të jetë treguar ndonjëherë një zell i tillë qeveritar si në pritjen e Riccardo Cocciante-s e Elhadia Danit. Zëvendësministrja e Kulturës bëri pritjen në aeroport më 7 qershor; ministri i Kulturës, Zhiti, bëri pritjen në Ministrinë e Kulturës; kryeministri bëri një takim të veçantë në institucionin e Kryeministrisë; presidenti Nishani “përgatiti shpejt e shpejt” dekoratën “Naim Frashëri i Artë” dhe ia jep Riccardo Cocciante-s.
Elhaida 20-vjeçare, po e beson vërtetë këtë pritje si shenjë nderimi?! I kujtohet ndonjërit, nëse në një rast tjetër ka pasur një pritje kaq pompoze, ku nuk kanë të mbaruar bëmat. Mbrëmë në orën 19.30 u improvizua edhe një koncert i kantautorit italian. Dhe ngaqë kjo ishte e papritur, dy orë para koncertit në Akademinë e Arteve po bëhej sherr me organizatorët, nëse do të këndohej apo jo “dal vivo” me Riccardo Coccianten dhe të rinjtë shqiptarë...
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)