Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen tragjike të ndodhur pasditen e së mërkurës në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, ku dy të rinj kosovarë, Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku humbën jetën pasi u mbytën në det dhe 3 të tjerë, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi, arritën të shpëtonin dhe po marrin mjekim në Spitalin e Lezhës.
Sipas burimeve, 5 personat ishin pjesë e stafit të organizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike “Unum”, i cili starton këtë të enjte në Shëngjin.
Në rrethana që po hetohen, ata kanë hyrë në det pa marrë në konsideratë dallgëzimin e fuqishëm të shkaktuar nga era e fortë, duke u përballur me vështirësi serioze dhe rrezik mbytjeje. Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë janë njoftuar për situatën emergjente dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ekipet e emergjencës.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të disa qytetarëve me jet ski, në bashkëpunim me policinë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e pesë të rinjve, të cilët u transportuan me urgjencë drejt spitalit, por dy prej tyre nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Burime nga policia bëjnë me dije se hetimet po fokusohen jo vetëm në rrethanat e ngjarjes, por edhe në masat e sigurisë të zbatuara nga organizatorët dhe menaxherët përgjegjës për stafin e punës, si dhe nëse janë respektuar procedurat për sigurinë e punonjësve dhe janë dhënë udhëzimet e nevojshme lidhur me kushtet e rrezikshme të detit.
Në zonën e plazhit e cila është marrë me qira për zhvillimin e festivalit mungonin kullat e vrojtimit dhe masat e tjera të sigurisë të përcaktuara me ligj, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Ndërkohë, trupat e pajetë të dy të rinjve Leonit Aliu 22 vjeç dhe Jetmir Binaku 23 vjeç janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekspertizës, e cila do të përcaktojë shkaqet e vdekjes së tyre dhe më pas do të tërhiqen nga familjarët për kryerjen e ceremonive mortore.
Lajmi në përditësim...

Dy të rinj humbën jetën tragjikisht dje pasi u mbytën në det te ‘Rana e Hedhun’ si pasojë e dallgëve të forta, ndërsa 3 të tjerë fatmirësisht arritën të shpëtonin.
Viktimat janë identifikuar si Leonit Aliu rreth 22 vjeç nga Fushë-Kosova dhe Jetmir Binaku 23 vjeç nga Prishtina. Aliu është i njohur dhe në botën e futbollit në Kosovë teksa ka qenë pjesë e klubit KF Fushë-Kosovë.
Leonid Aliu dhe Jetmir Binaku dyshohet të jenë futur për tu larë së bashku me 3 shokët e tjerë, Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi por janë rrëmbyer nga dallgët e forta. Kanë qenë disa qytetarë që ndodheshin në zonë me Jet Ski, të cilët, në bashkëpunim me policinë, arritën të nxjerrin nga deti pesë të rinjtë, dy prej të cilëve pa shenja jete.
Komente








