20 vjet më parë, 20 tetorin e vitit 2005, Natale Capodicasa krijoi Organizatën Shqiptare të Dhuruesve të Gjakut. Natale, një italian, por me lidhje të forta me Shqipërinë, i martuar me një shqiptare me të cilën sot ka tre fëmijë. Dhurimin e gjakut rregullisht çdo 3 muaj e ka nisur shumë kohë më herët dhe një shkas ka qenë edhe nevoja e një vajze talasemike, ndërsa kujton pse vendosi që ta krijonte shoqatën në Shqipëri si një mision për të.
“Kur erdha këtu në Shqipëri pashë që kishin nevojë vazhdimisht për dhurim gjaku. Një moment i bukur ishte kur babi im kishte nevojë për gjak, një kujtim shumë i bukur, emocionues. Një kujtim tjetër ishte, kur në një periudhë ka qenë në sekretarinë tonë një vajzë, që vuante nga talasemia. Që nga ajo ditë unë dhuroj rregullisht gjak, gati çdo tre muaj.”, - thotë Capodicasa për "Report TV".
Ai evidenton nevojat e mëdha për gjak ende në Shqipëri, ndërsa lajm i mirë është se krahasuar me 20 apo edhe 10 vite më parë, njerëzit sot janë më të ndërgjegjësuar, sidomos të rinjtë.
“Në 2005 numri më i madh i atyre që jepnin gjak ishte me pagesë. Sot, dhuruesit janë komplet falas, vullnetarë, dhe familjarët. Tani për shembull, një pjesë, në projektin tonë, janë disa vullnetarë që vijnë nga Italia.”
Nga Sardenja për në Shqipëri ka udhëtuar edhe Agostino Chiaffitella, i cili është arbëresh dhe është president i Shoqatës Italiane të Dhuruesve të Gjakut. Ai vjen rregullisht prej dhjetë vitesh, dy herë në vit, në atë që e cilëson si vend i të parëve të tij.
“Dikur bëmë binjakëzimin me Organizatën e Vullnetarëve të Gjakut të Natales e që atë ditë unë nuk e harrova më Shqipërinë. Shqipëria për mua është edhe gjaku, se ne arbëreshet themi “gjaku ynë i shprishur’. Për dhurimin e gjakut unë shkrova edhe një libër tre gjuhësh: arbërisht, shqip e italisht.”, thotë Chiaffitella.
Në Shqipëri nevoja për gjak është gjithnjë një shqetësim për autoritete spitalore, ndërsa Presidenca apo edhe Kryeministria shpesh kanë ndërmarrë iniciativa ndërgjegjësuese.
Komente
