Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka folur në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv mbi investimin që pritet të realizohet në Zvërnec dhe protestat që e kundërshtojnë këtë iniciativë.
Duke iu drejtuar gjithë organizatave ambientaliste që shqetësohen për fatin e flamingove në Lagunën e Nartës, Ismailaj tha se deri në vitin 2012, zona jo vetëm që nuk kishte flamingo e pelikanë, por nuk kishte as peshk.
Kjo sipas ministres, për shkak të politikave të gabuara të qeverisë së kohës për mjedisin, por edhe për shkak të peshkimit duke përdorur dinamit.
Ismailaj shtoi se u desh 12 vite punë e qeverisë socialiste që biodiversiteti në atë zonë të pasurohej dhe sipas saj, as nuk duhet menduar se investimi që pritet të kryhet në Zvërnec, do të ‘godasë’ florën dhe faunën.
“Ka një lloj demokracia të arritur sot ky vend që shqetëson individë, shtete, interesa, grupe. Kjo është e toleruar deri diku, por nuk do të thotë që duhen toleruar. Më ka bërë përshtypje fakti i ambientalistëve, që vijnë e protestojnë se po i rrezikojmë ne flamingot. Tani unë jam nga Vlora. Në Vlorë deri në vitin 2012 gjuhej peshku me dinamit. Ku ishin këta ambientalistët? Në Vlorë deri në vitin 2012 s’kishte peshk më të mbetur, sepse dinamiti largonte peshqit dhe speciet e tjera, përpos shkatërrimit të gjithë florës e faunës në det. Ambientalistët që kjo laguna që ne flasim sot dhe jemi duke kërkuar që mos të vrasë qeveria këto flamingot dhe pelikanët, kokërr flamingo s’kishte në atë kohë. Janë dashur 12 vite nisma që ne të arrijmë në atë diversitet që është sot”, tha mes të tjerash ministrja Ismailaj.
Më pas, duke përmendur origjinën e saj vlonjate, ministrja Ismailaj tha se të pengosh ardhjen e një projekti të tillë (referuar investimit që pritet të realizohet në Zvërnec), duhet të jesh shumë anti-shqiptar. Kjo pasi sipas ministres, ai investim do të sjellë njohje më të gjerë të Shqipërisë në elitën e vendeve turistike dhe do të krijojë mijëra vende pune për popullin Vlonjat.
Teksa tha se ‘e kam jetuar Vlorën nën lëkurë’, ministrja Ismailaj iu drejtua panelistëve të tjerë (Shemsi Prençit dhe Poli Hoxhës) gjatë debatit duke iu thënë ‘ju vini në Vlorë, hani ndonjë peshk të freskët dhe bëni politikë si duhet të jetë Vlora.
“Në Vlorë ka qenë vetëm një boulevard, ai Vlorë-Skelë dhe në 10 të darkës mbylleshim në shtëpi se kishte pasiguri ekstreme. Kur vinte ndonjë turist në Vlorë, na dukej si alien. Të rinjtë në Vlorë punonin vetëm në Call Centera, kamarier dhe fasoneri. Ne jemi një shtet që kemi ikur nga fasoneria, ku të rinjtë paguheshin pak. Mos më tregoni mua, se e kam jetuar në lëkurë Vlorën unë. Ju dhe shokët tuaj vini në Vlorë tani, hani ndonjë peshk të freskët, hani mirë e ikni dhe pastaj bëni politikë si ka qenë dhe si është Vlora. Ka qenë Vlora ku vlonjatët nuk shihnin Karaburunin dhe Sazanin. Të vijë ky projekt në Vlorë, do të thotë që ne të gjithë këtu duhet të jemi shumë antishqiptarë, për të bërë atë që e bëjmë në Turqi, Itali e Greqi”, vijoi më tej ministrja Ismailaj.
Ditën e sotme në Tiranë u mbajt protesta e 5-të që kundërshton ndërtimin e resortit në Zvërnec. Qindra qytetarë marshuan nga Sheshi Skënderbej përpara godinës së Kryeministrisë, me pankarta të shumta në duar, ku kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe tërheqjen e investimit që pritet të realizohet në Zvërnec.
Eksperti i Sigurisë, Faik Basha, është shprehur se ka shumë pikëpyetje mbi protestat e organizuara që kundërshtojnë investimin në Zvërnec të Vlorës.
Në studion e emisionit Flontline me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Basha tha se këto protesta kanë për qëllim destabilizimin e vendit, dëbimin e investitorëve strategjikë.
“Sot personi që u tërhoq zvarrë, nuk po e shohim fare në protestë. Na del me 2-shtetësi. Na del që ishte pretendenti kryesor për prona, por që prona nuk ka në atë vend. Nuk kemi parë asnjë dokument që të pretendojë pronësinë. Ngrihen me dhjetëra dhe mijëra faqe të panjohura anonime, organizojnë një tubim. Nuk vjen pjesëmarrësi kryesor që duhet të ishte në krye të protestës, pretendenti që kishte pronën dhe u tërhoq zvarrë në pronën e tij. Kanë dalë në protestë disa persona që thonë ‘vdekje myslimanëve’, vrasje dhe vdekje gjatë gjithë kohës.
Këto protesta kanë për qëllim destabilizimin e vendit, dëbimin e investitorëve strategjikë dhe dëbimin e një fuqie të madhe ekonomike. Sepse këto lloj investimesh prodhojnë ekonomi dhe siguri. Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë të mbështetet te SHBA dhe jo t’i dalë kundër SHBA-ve. Kjo protestë është luftë hibride. Protesta s’ka mision apo objektiv, por thjeshtë çoroditje. Njerëz të veshur me uniforma të zeza trajnojnë protestuesit. Kjo është për të destabilizuar Shqipërinë. Vendet jomike nuk e duan Shqipërinë. I vetmi vend në botë që ka parë më të mirat nga Amerika, dalim me parrullat ‘Ivanka largohu’. Kosova e çliruar, Shqipëria e mbrojtur, Shqipëria në NATO, Shqipëria e stabilizuar”, tha Basha.
Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, është shprehur se pretendimi nga qeveria se investimi në Zvërnec do të kryhet në pronë private nuk qëndron, pasi sipas tij, një pjesë e madhe e zonës ku pritet të ndërtohet është tokë shtetërore.
Komentet Prençi i bëri në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se investimi në Zvërnec kishte nevojë për më shumë transparencë, pasi sipas tij, mënyra sesi kryeministri Edi Rama i qasej qytetarëve, ishte e paqartë dhe e pabesueshme.
“Po s’ka projekt, siç thotë kryeministri, si ka para? Unë nuk e lexoj qartazi apo besueshëm mënyrën si qaset kryeministri para shqiptarëve. Së dyti, duke e njohur këtë pjesë të lagunës, kam parasysh se kryeministri ka thënë ‘zhvillimi i një prone private’, ndërkohë që nuk rezulton e tillë. Duhet të themi që gjerësia e brezit ranor varion nga 70-100 metra. Gjatësia e vijës bregdetare që është vënë në dispozicion të këtij projekti, është deklaruar edhe nga Ivanka Trump që është 5 milje, apo 7.6 km. Parë në këtë kontekst nuk mund të themi që kemi të bëjmë vetëm me pronë private. Brenda rrethimit ekzistojnë 2 monumente të natyrës. Lind pyetje kush ja ka dhënë të drejtën privatit që ta fusë në rrethim këtë pronë shtetërore? Si e ka marrë guximin qeveria që ka dhënë këtë pronë shtetërore?”, tha mes të tjerash Prençi.
Gazetari Poli Hoxha e ka cilësuar si ‘idiot’ argumentin e kryeministrit Edi Rama, por edhe një pjese të madhe të eksponentëve të mazhorancës e opozitës, se protesta që kundërshton investimin në Zvërnec, është e ndikuar nga ‘agjenturat’ anti-shqiptare.
Komentet Hoxha i bëri në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha janë komunistë që nuk e duan të mirën e Shqipërisë.
“Është ana më idiote që një kryeministër të justifikohet që na kanë dalë agjenturat anti-shqiptare dhe po na bëjnë këtë që po bëjnë. Ata të tjerët thonë është ngritur Sorosi të rrëzojë Ramën. Arrijnë çmenduritë që gjejnë çdo lloj gjëje dhe vetm një gjë nuk e shikojnë, që agjenturat e duan Shqipërinë kështu si e kanë lënë këta të dy.
Sali Berisha ka lindur në Luftën e Dytë Botërore. Më shumë se gjysmën e jetës e ka kaluar në komunizëm. Edi Rama gjysmën e jetës në bllok me babain super komunist. Dhe këta të rinjtë që kanë lindur në kapitalizëm, qenkan kundër investimeve, kundër kapitalizmit. E kuptoni çfarë thotë kjo pari nga përpëlitja? Thotë gjithfarë gjërash”, tha Poli Hoxha.
Komente






