Ditën e sotme, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer në Gjykatën e Posaçme ofertën që kishte marrë nga Nuredin Dumani për vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdinit.
Hoxhaj tha se Dumani i kishte thënë se jepeshin 200 mijë euro për vrasjen e Sanxhaktarit, por nuk i kishte treguar më shumë detaje se kush ishte porositësi.
Por Hoxhaj ka shtuar se plani për vrasjen e Sanxhaktarit mbeti vetëm në bisedë, pasi ajo ‘punë’ u la pas dore dhe nuk u morën më me atë çështje.
Sipas Hoxhajt, Dumani ja kishte bërë ofertën për vrasjen e Sanxhaktarit, në kohën që ai po përgatitej për vrasjen e vëllezërve Haxhia.
Henrik Hoxhaj: Ndërsa po përgatitesha për vrasjen e vëllezërve Haxhia, diskutuam me Nuredin Dumanin për një punë tjetër. Ai fliste në telefon gjithë kohën. Kishte ditëlindjen atë ditë. Nuk e di me kë. Më tha për Sokol Sanxhaktarin.
Prokurori: Kush ishte i interesuar për të goditur Sokol Sanxhaktarin?
Henrik Hoxhaj: Unë kam marrë një ofertë, tha Nuredin Dumani, për Sokol Sanxhaktarin. Më tha se do bënim takim. Jepeshin 200 mijë euro. Më pyeti nëse isha i interesuar. Por mbeti këtu, nuk u bë më shumë muhabet. Nuk më tha kush ishte investitori. Nuk më është përmendur Suel Çela. Më tha se është dhëndri i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nuk më tha pse, o prokuror. Nuk mbaj mend të jetë përmendur më.
Prokurori: Për një Bledar Muça, a ju ka thënë ndonjë gjë Nuredini?
Henrik Hoxhaj: Jo. Nuk kam qenë i interesuar. Nuk u morëm më me Sokolin, se u morëm me atë çfarë ishim aty. Ditën e arrestimit të Sokolit nuk e di a kam biseduar apo jo, se nuk më ka interesuar.
Prokurori: Në 30 korrik 2020, kur Sokol Sanxhaktari vrau Florian Lamçen, Nuredini të ka shkruar ty: “Na humbën 200 mijë euro.”
Hoxhaj: Po, se nuk u mbarua puna, pra.
Po ashtu Hoxhaj ka rrëfyer në GJKKO edhe planin për vrasjen e Ismet Boriçit, teksa ka treguar se sherri mes tyre kishte nisur për një 'pse më sheh' disa vite më parë. Hoxhaj tha se kishte mbetur i plagosur pas konfliktit me Boriçin dhe vrasjen e tij donte ta kryente për hakmarrje.

Henrik Hoxhaj, i pandehur si pjesë e dosjes “Plumbi i artë”, ka dëshmuar sërish ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, ku ka zbuluar disa detaje të reja mbi ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura në vend.
Mes të tjerash, Hoxhaj rrëfeu konfliktin që kishte pasur me Ismet Boriçin dhe planin që kishte thurur për vrasjen e tij.
Po ashtu Hoxhaj tregoi se konflikti me Ismet Boriçin kishte pasur si zanafillë një përplasje të një miku të tij me vëllezërit Boriçi në 1999-2000. Hoxhaj tha më tej se më pas ai ishte konfliktuar në një moment tjetër me Boriçin, një konflikt që sipas tij nisi për një ‘pse më sheh’.
Hoxha: Arsyeja ka filluar në vitin 2004, kur unë duke ikur për në shtëpi jam plagosur me 3 plumba. Ismet Boriçi i ka plagosur vëllain Viron Kallanxhiut, shokut tim të fëmijërisë, që tani është në burg.
Boriçët janë fis i madh. U krijua një situatë kot, pa lidhje, “pse më sheh”. Ai nxori armën, unë i’a kapa armën te tyta. Ai më qëlloi. Unë ika me vrap, aty më mori dikush.
Unë rrija me këtë shokun tim, më shkoi mendja mua që kishte lidhje me shokun tim që më qëlloi, se unë me njeri tjetër nuk kisha probleme. E dija historinë e Vironit me Boriçin. Vironi kishte ndërmarrë një veprim ndaj tij, e kishte goditur Ismetin në ’99 në Itali.
Unë doja ta mbaroja punë me të. Ta mbaroja punë, ta vrisja pra… ç’a ta qerasja? Ai më gjuajti mua.
Në 2018 kisha marrë një makinë Renault të vjedhur dhe një pistoletë Glock. I kam thënë muhabetet edhe Skerdit, ai ishte në dijeni pak a shumë të muhabeteve. Ra dakord, bëmë gjërat gati, e prisnim. 3–4 herë gjatë ditës bënim nga një xhiro rreth pronës së tij për ta parë. I kemi parë me mjetin tonë vëllezërit. Skerdi goditi nga brenda, por i ngeci arma. Ata na pikasën se makina jonë ishte me xhama të zinj. Plumbat kur prekin xhamin ngecin dhe këta si përfundim vetëm u gërvishtën pak.
Qëllimi im ishte të merrja hak për plagosjen që më bënë. Me Vironin nuk bisedova asgjë. Nuk ka qenë fare Vironi në dijeni.
Renato Çamin e njoh si person, si emër. Personalisht nuk e njoh. Vironin e kam shok të ngushtë sot e kësaj dite. Atë djalin që thua ti, nuk e kam takuar.
Unë kam goditur nga timoni me pistoletë, Skerdi me automatik nga vendi i pasagjerit. Ne armët i kishim në makinë. Ne i kishim armët gjithmonë me vete te mjeti i goditjes, Renault-in, që kur t’i shikonim të godisnim direkt. Jo ‘e pashë edhe mos ta godas’.
Kishim gjetur një palë targa greke, i kishte gjetur Skerdi. Makinën e pashë në gazetë. Qëllimi i marrjes së targave ishte që mjeti të mos lëvizte pa targa.
Prokurori Behar Dibra: Vendndodhja pak a shumë ku i goditët.
Henrik Hoxhaj: Ky ka një lokal te gjimnazi i ri, kanë një shtëpi trekatëshe. Ishin ulur në tavolinë, vetëm. Brenda nuk e di kush ishte, ndoshta kishte njerëz. Ata e nuhatën, mjeti jonë ishte me xhama të zinj, me targa të huaja. Tani ata me probleme janë edhe mua, po të më dalë para një makinë, do iki.
Skerdi qëlloi me 2 plumba dhe pastaj iu bllokua arma. Pastaj ata u futën në lokal dhe ikën në shtëpi. Nuk dolëm nga makina. Armët i kemi pasur në shtëpi, kanë mbetur aty.
Komente











