Zëvendësdrejtori i Policisë Elbasan, Krenar Guçe, është paraqitur sërish para togave të zeza në GJKKO për të dëshmuar në gjyqin për dosjen “Plumbi i Artë”.

I thirrur për të dëshmuar sepse fotoja e tij ishte pjesë e bisedave të kriminelëve në aplikacionet e koduara, Guçe ka treguar në mënyrë më të detajuar se çfarë e ka lidhur me të pandehurit.

Ai tha se për shkak të përfshirje së tij në hetimet ndaj disa prej eksponentëve kryesorë të krimit në Elbasan dhe jo vetëm, ishte informuar se ndaj tij po planifikoheshin sulme të mundshme. Guçe shtoi se është njoftuar nga eprorët që fotoja e tij është gjetur në foton e Nuredin Dumanit, duke nënkuptuar se ishte në shënjestër.

Krenar Guçe: Gjatë kryerjes së detyrës në qarkun e Policisë së Shtetit më ka thirrur Gledis Nano në prezencë të Tonin Vocaj dhe më është bërë me dije se ndaj meje disa persona kanë pasur qëllime dashakeqëse dhe për këtë arsye më u vu mbrojtja fizike. Për Hajdar Bako kam bërë verifikime për vrasjen e Andi Zylyfit.

Për të bërë verifikime në Rinas jam urdhëruar nga eprorët. Nuk më kujtohet të kem bërë ndonjëherë kontrolle ndaj Talo Çelës. Për veprimet hetimore në Rinas kam lajmëruar eprorin tim Leonard Palushi.

Hajdar Beko e kam njohur nga targa e makinës dhe nga sistemi TIMS.

Me lidhje me njohje me Nuredin Dumanin nuk kam. Kam bërë veprime hetimore ndaj tij. Gjatë kohës që po hetoja nuk jam takuar kurrë me Nuredin Dumanin. Unë e kam nxjerrë në kërkim Nuredin Dumanin si person i dyshuar për vrasjen e Bujar Çelës.

Henrik Hoxhaj e njoh kur është kapur dhe ka dalë në media.

Guçe: Më kanë informuar nga eprorët e mi se me telefonin e Nuredin Dumanit është gjetur fotoja jote. Më thanë që ke qenë në shënjestër të Dumanit, kaq më thanë. Hedh poshtë çdo lloj thënieje që ka thënë Nuredin Dumani.

lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.