Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar nga detyra gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila ndodhet nën akuzë për korrupsion.  

Pezullimi i gjyqtares erdhi pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. 

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi pezullimin e përkohshëm nga detyra, të gjyqtares deri në përfundimin e procedimit penal në ngarkim të saj.

Gjyqtarja e Elbasanit akuzohet se ka kërkuar 2 mijë euro ryshfet për të liruar nga akuzat një të arrestuar. 

Paratë do ia jepte gjyqtares sekseri Behar Kola, oficer i Policisë së Burgjeve, i cili është arrestuar.

Njoftimi i KLD
KLD zhvilloi sot, me datë 07.02.2017, një mbledhje të jashtëzakonshme me rend dite shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj gjyqtares P.F. gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com