Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte i pranishëm në 20-vjetorin e Eurorajonit Adriatiko-Jonian në Tiranë ku ka vlerësuar rolin e bashkëpunimit rajonal si një instrument të rëndësishëm për integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve të rajonit.
Balla theksoi se Shqipëria ndodhet më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar progresin e shpejtë të vendit në procesin e negociatave.
“Shqipëria po avancon me ritmin më të paprecedent në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kemi përmbyllur hapjen e kapitujve të negociatave dhe kemi nisur procesin e mbylljes së tyre, me objektivin ambicioz për të përfunduar negociatat brenda vitit 2027”, u shpreh Balla.
Ai vuri në dukje se Shqipëria vlerësohet sot si një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, së bashku me Malin e Zi, ndërsa gëzon mbështetje të gjerë në institucionet europiane për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.
Më tej tha se Shqipëria mbetet vendi i vetëm në rajon që ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian, duke u konsideruar një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
Duke u ndalur te roli i Eurorajonit Adriatiko-Jonian, Balla e cilësoi këtë organizëm si një model të suksesshëm bashkëpunimi ndërkufitar, që ka kontribuar për dy dekada në forcimin e dialogut, partneritetit dhe zhvillimit mes vendeve të rajonit.
Sipas tij, rajoni Adriatiko-Jonian ka potencial të madh në fusha si turizmi, infrastruktura, ekonomia blu, energjia, arsimi dhe inovacioni, ndërsa sfida e përbashkët mbetet shndërrimi i këtij potenciali në mundësi konkrete për qytetarët.
Balla theksoi rëndësinë e investimit tek të rinjtë dhe edukimi, duke theksuar se integrimi europian nuk është vetëm një proces institucional, por një proces bashkëpunimi mes komuniteteve, rajoneve dhe qytetarëve.
Në fund, shprehu mirënjohje për drejtuesit dhe partnerët e Eurorajonit Adriatiko-Jonian për kontributin e tyre ndër vite, si dhe ritheksoi angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur çdo iniciativë që forcon bashkëpunimin rajonal dhe afron vendin me familjen europiane.
Komente











Si ke fytyre dhe del aty o mbeturine , ju e keni cuar shkallen e korrupsionit ne nivelet me te larta , keni vjedhur e bashkepunuar me kriminelat gjate gjithe kohes qe ishit ne pushtet kurse ti tani na del dhe do te na mbushesh mendjen se keni ber pune . Do te hiqeni zvarre nga populli ju te gjithe te majte dhe te djathte se ju e keni katandisur kete vend si mos me keq
Përgjigju