Qyteti i Durrësit pati këtë të shtunë vizitorë mjaft të veçantë.
20-vjetori i themelimit të klubit Vespa Shqipëri mblodhi në qytetin bregdetar rreth 360 admirues të markës së famshme motorike italiane. Pjesëmarrësit ishin jo vetëm nga klubet shqiptare të Vespave, por kishin ardhur edhe nga shumë vende të Europës dhe botës.
Shëtitorja "Taulantia" u shndërrua sot në një paradë të vërtetë të këtyre mjeteve, një pjesë e konsiderueshme shumëvjeçare, që ngjallën kureshtjen jo vetëm të vendasve, por edhe të turistëve të huaj. Sinkron Aldo Kazanxhi - President i klubit Vespa Club Shqipëri.
Marka e famshme e motorëve “Made in Italia” ka mjaft admirues edhe në vendin tonë, ku nuk mungojnë edhe modelet më të vjetra të këtyre motorëve. Një motorist nga Shkodra ka sjellë një Vespa Rally të vitit 1971, ndërsa një admirues i tyre nga Vlora e ka realizuar vetë me rezinë, koshin e famshëm të motorit.
Parades së sotme të motorëve tip Vespa i janë bashkuar edhe shumë italianë të ardhur në rrugë tokësore ose me traget në qytetin bregdetar, shumë prej të cilëve kanë motorë Vespa rreth 40-vjeçarë.
Pavarësisht kalimit të viteve, motorët janë ende mjaft funksionalë dhe shihen me mjaft kërshëri nga të gjithë të interesuarit.
20-vjetori i klubit Vespa Shqipëri ishte konceptuar jo vetëm si një ekspoze motorësh në një nga hapësirat më të frekuentuara të Durrësit, por edhe paradë në qytet dhe vizita në sitet arkeologjike dhe monumentet historike.
Komente











