Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës kremtoi sot 20-vjetorin e themelimit të tij në një ceremoni zyrtare, ku morën pjesë drejtues vendorë dhe kombëtarë, akademikë, pedagogë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve publike.

Në këtë përvjetor jubilar u vlerësua rrugëtimi dydekadësh i universitetit, nga themelimi e deri në konsolidimin e tij si një nga institucionet kryesore të arsimit të lartë në vend.

Në fjalën e tij, Agim Kukeli, rektori i parë i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, u ndal te sfidat e fillimeve dhe vizioni me të cilin u ngrit ky institucion, duke theksuar rolin e universitetit në formimin e brezave të rinj dhe në zhvillimin akademik të qytetit të Durrësit dhe më gjerë.

Në ceremoni foli edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila vuri theksin te rëndësia e ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, profilizimi akademik dhe lidhja e arsimit të lartë me tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik. Sipas saj, UAMD përfaqëson një model në rritje, me programe studimi dhe bashkëpunime që i përgjigjen nevojave të kohës.

Ndërkohë, rektori aktual i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, theksoi arritjet kryesore të këtyre 20 viteve, duke u ndalur te projektet strategjike, zgjerimi i programeve studimore dhe vizioni për të ardhmen e universitetit.

Ceremonia e 20-vjetorit shërbeu jo vetëm si një moment reflektimi mbi rrugën e përshkuar, por edhe si një pikënisje për sfidat dhe objektivat e reja që Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës synon të realizojë në vitet në vijim.