21 Janari, dëshmitari i parë për 
Byronë Kombëtare të Hetimit

Ndonëse skeptik sa i takon vullnetit për të hapur çështjen, Fatos Mahmutaj, pritet të jenë një ndër dëshmitarët e parë për ngjarjen e 21 Janarit, ku u vranë katër qytetarë të pafajshëm, u plagosën 6 të tjerë, u fshinë në mesnatë pamjet filmike nga serveri i Kryeministrisë, u ndërruar armët, u manipuluan urdhrat, nuk u lejua arrestimi i gardistëve si dhe u sajua puçi i famshëm.

Vendimi i Mahmutajt, vjen pas njoftimit të ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhia, i cili ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Byronë e Hetimit për disa ngjarje të rënda kriminale dhe ekonomike, me protagonist ish-presidentë, ish-kryeministra, deputetë, biznesmenë etj. Ndërkaq, përpos Mahmutajt, të gatshëm për të bashkëpunuar me Byronë e Hetimit, do të jenë edhe ish-gardistë dhe ish-policë, në dijeni të manovrave dhe paraskenave të pushtetit të atëhershëm. Dhe sinjali i parë ka ardhur disa muaj më parë, ku një ish-gardist i 21 Janarit, duke iu përgjigjur Sali Berishës, shtroi disa pyetje komprometuese për ish-kryeministrin dhe ministrin e atëhershëm të Brendshëm, Lulzim Basha.

Fatos Mahmutaj 
Për Shqiptarja.com, Fatos Mahmutaj, thotë se është gati të rikthehet dhe të dëshmojë për Byronë e Hetimit për 21 Janarin. “Jam gati të dëshmoj për Byronë Kombëtare të Hetimit nëse çështja e 21-janarit do të rihapej sërish, mjafton që ‘shërbëtorët’ e rinj të drejtësisë të kenë vullnetin dhe dashamirësinë për të zbardhur këtë dosje. Tani fjala ‘zbardhje’ nuk ka shumë kuptim për këtë çështje pasi nuk ishte një krim që ndodhi fshehtas, por ditën për diell, para mijëra vetëve dhe për më tepër të filmuara dhe transmetuara live nga të gjithë TV shqiptarë. Është fakt që janë zhdukur provat filmike nga serveri i kryeministrisë apo janë anashkaluar apo manipuluar shumë prej provave materiale apo dokumentare të kohës, por kjo ka pak rëndësi”, ka theksuar ai.

Juridiksioni i Byrosë së Hetimit 
Në se ka prova dhe dëshmi të reja, Byroja Kombëtare e Hetimit mund të rihapë çështjen e 21 Janarit. Së pari, Kushtetuta e re dhe ligji për SPAK ka hequr kufizimet kohore për Byronë e Hetimit dhe Prokurorinë Speciale, për hetimin e çështjeve të ndryshme, sidomos kur të implikuar janë funksionarë dhe ish-funksionar të lartë. Pati një përpjekje për të kufizuar hetimet vetëm nga viti 2013 dhe më pas, por kjo pengesë u hodh poshtë. Së dyti, në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë është edhe vrasja në rrethana të tjera cilësuese, që dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm. Kjo vepër penale është konfirmuar disa herë në 21 Janar. Së treti, sipas ligjit për SPAK, të gjitha entet publik dhe individët janë të detyruar të bashkëpunojnë në Byronë e Kombëtare të Hetimit kur janë në dijeni apo kona dyshime të konsumimit të një vepre penale në kompetencë të Byrosë së Hetimit.

Si u zbuluar plani për reprezalje në 21 Janar
Ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj kishin përgatitur dhe udhëzuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që të qëllonin protestuesit gjatë demonstratës së 21 Janarit. Plani i Bashës dhe Kuliçajt pasurohet në një raport sekret të SHKB. “Me shkresë Nr. 136/2, datë 21.01.2011, është bërë instruktazhi i trupave të FNSH 712,Tiranë. Në këtë instruktazh specifikohet që veprimet e trupave do të bëhen në grup, vetëm me urdhër të drejtuesve të shërbimit. Armët e zjarrit personale do të sigurohen në Repartin 712, që të mos jenë të pranishme gjatë zhvillimit të demonstratës, si dhe efektivi të jetë i veshur me pajisje speciale ROBOKOP. Gjithashtu, ekipi i armëve speciale, i granatave me gaz, i fishekëve plastikë, të përdorë pajisjet vetëm me urdhër nga Drejtoria e FLO, si dhe gjatë përdorimit të tyre të kihet kujdes duke synuar gjymtyrët e poshtme. Me Urdhër Nr. 143, datë 21.01.2011, Komandanti i Repartit FNSH 712, Tiranë, ka vendosur daljen me shërbim të efektivit”, thuhet në raportin e SHKB.
  
Qëndrimi i Agron Malaj, ish-shef i të ashtuquajturit “grup i zjarri” 
Unë së bashku me seksionin special që unë drejtoja, ku ishin grupet e ndërhyrjes, grupet e snajperëve, ishim me urdhër shërbimi me mbështetje të njësisë së dytë tek Kryeministria më dt. 21.1.2011. U habita se si më dt. 24 janar unë u identifikova si grup zjarri, lind pyetja çfarë është ky grup zjarri? Pse ky grup zjarri nuk ishte shënuar më dt. 20 janar si grup zjarri në librin e shërbimit të Njësisë Speciale apo në librin e shërbimit të Gardës së Republikës? Pse ky grup doli më 24 janar? Kush e emërtoi grup zjarri? Me urdhër të kujt u emërtua grup zjarri? Cilat ishin detyrat e Seksionit Special të katërt që unë drejtoja atë ditë? Kush është misioni i Njësisë Speciale? Kush është misioni i Gardës së Republikës? Sa efektivë kishte Seksioni katër? Kur snajperët ishin pjesë e këtij seksioni në vartësinë time pse nuk hapën zjarr? Më vjen keq që ky repart dhe këta efektivë profesionistë që kanë kaluar shumë sfida e vështirësi sot paragjykohet për ngjarjet e 21 Janarit. Duke marrë shkak nga debatet e fundit në Parlamentin Shqiptar, dua të informoj të gjithë që grupi i zjarrit nuk ka ekzistuar më 21 janar, kjo gjë mund të verifikohet lehtësisht në librin e shërbimit të Njësisë Speciale të dt. 21 janar. Është e vërtetë për të ardhur keq se si ky repart dhe ky grup (i ashtuquajtur Zjarri ) nga persona dhe caqe të caktuar për të shmangur gjithë këtë situatë nga njerëzit që janë përgjegjës të ngjarjeve të 21 janarit. Është për të ardhur keq se si u deformua ngjarja e 21 janarit dhe se si po përdoret nga disa caqe të caktuara. Dua të sqaroj të gjithë se Prokuroria nuk hapi çështje ndaj meje pasi të gjitha veprimet e mia ishin në përputhje me ligjin. Sot vendosa të flas për këtë ngjarje duke parë një shqetësim të madh të familjes, miqve dhe të gjithë atyre që i dinë këto të vërteta dhe janë bërë pjesë e këtyre sulmeve nga mediat e politika”.
 
 Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion