TIRANE- Prokuroria e Përgjithshme nuk është e vendosur nëse do apelojë vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria për ish-komandantin e gardës Ndrea Prendin dhe gardistin Agim Llupo për vrasjet e 21 janarit.

"Do të presim të zbardhet vendimi nga Gjykata. Më pas do të vendosim”, -tha zëdhënësi i prokurorisë së Përgjithshme, Albi Seriani në një prononcim për televizionin A1 REPORT.

Sipas vendimit të dhënë për 21 Janarin, Prokuroria ka 10 ditë kohë nga zbardhja e tij për ta apeluar atë në një Gjykatën e Apelit nëse e dëshiron diçka të tillë. Hetimet për vrasjet e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt e Aleks Nikës janë ndjekur nga prokurorë të cilët drejtoheshin nga paraardhësja e Adriatk Lallës, ish-kryeprokurorja Ina Rama.

(sg/shqiptarja.com)