Nga ana tjetër Rama foli edhe për kufirin detar me Greqinë, teksa tha se nuk do të njohë asnjë marrëveshje sipas interesave të shtetit fqinj, por vetëm atë në respektim të Kushtetutës.
“Marrëveshja është rrugë e negociatave të errëta dhe të dyshimta, një marrëveshje antikombëtare. Pakti duhet bërë në dritat e diellit, fqinjësinë nuk do ta forcojmë mes koncesioneve të paligjshme”, deklaroi kreu i PS, Edi Rama.
IMUNITETI PAS NDRYSHIMEVE KUSHTETUESE NE SHTATOR
Kryesocialisti Edi Rama, tha se rruga për imunitetin do të hapet vetëm me diskutimin e ndryshimeve kushtetuese në shtator. Sipas tij, kjo kërkesë nuk përfshin kushte të Partisë Socialiste, por një vizion për forcimin, ndër të tjera, të sistemit të drejtësisë.
“Jemi gati ta votojmë imunitetin sa të mbyllen diskutimet edhe për propozimet e tjera kushtetuese, janë një vizion yni për një forcim të sistemit të drejtësisë”, vijoi Edi Rama.
DO RISHIKOJME CDO MARREVESHJE KONCESIONARE
Gjatë konferencës, kreu i PS-së u shpreh gjithashtu se qeveria “nga një anë grabit pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër shan opozitën se është kundër sipërmarrjes”.
“Ne do të jemi aleatët me të mëdhenj të gjithë sipërmarrësve që pasurohen në rrugë të ligjshme”, deklaroi sot kryesocialisti Rama. Sipas tij, duhet rishikuar çdo marrëveshje në aspektin e privatizimit, koncesione apo shpërdorimit të pasurive publike që është bërë përmes lidhjeve me Kryeministrin dhe jo në rrugë të ligjshme.
“Gjithkush duhet t’i kthejë publikut përmes arkës së shtetit atë që nuk i takon”, theksoi Rama.
RAMA: SHQIPERIA PO DIGJET, BERISHA I PAAFTE
“Në këta 7 vjet, burimet natyrore janë shpërdoruar më shume se në 100 vjet të marra sëbashku”, tha Rama. Sipas tij, Kryeministri është “i paaftë të menaxhojë situatën në vend, teksa po humbasim qindra hektarë pyje”.
Në përfundim të fjalës, Rama ripërsëriti fjalët e shkruara një ditë më parë në profilin e tij në Twitter “duhet të jesh shumë budalla për të besuar prrallën e Berishës”.
(Gre.M/Shqiptarja.com)