TIRANE- Dëshmia e gazetarit Fatos Mahmutaj i cili në protestën e 21 janarit u gjend në krah të Hekuran Dedës në momentin kur ai u godit me plumb, nga ambientet e kryeministrisë, u lexua sot në sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të rënda.

Në dëshminë e tij, gazetari Fatos Mahmutaj sqaron se më 21 janar, gjatë demonstratës së opozitës, kishte hipur mbi platformën e vendosur për gazetarët dhe është goditur me plumb në dorë. Në këtë moment, kujton ai, ka ndjerë edhe një goditje tjetër plumbi dhe ka parë se është rrëzuar shtetasi Hekuran Deda.

Në seancë u lexua dhe dëshmia e bërë në prokurori e 2 miqve të viktimës tjetër Aleks Nika, Dritan Pepeaj dhe Anton Dedaj të cilët ndodhen jashte vendit. Në dëshmitë e tyre kanë treguar se ishin me kurriz nga kryeministria kur dëgjuan breshëri plumbash. "Vendosëm të largoheshim dhe i thamë dhe Aleksit të vinte bashkë me ne. Në këto momente Aleksi është rrëzuar në tokë. Kemi parë vrimën e plumbit në shallin që ai mbante në qafë", dëshmuan miqtë e Aleksit.

DESHMIA E LLUPOS
Pas leximit të këtyre tre dëshmive, në gjykatë foli i akuzuari, Agim Llupo. Ish-shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardë, akuzohet për vrasjen e demonstruesit, Ziver Veizit.

“Ne- tha ai- kemi qëlluar me plumba në ajër. Qëlluam në dy momente. Së pari u qëllua kur makina përplasi portën e kryeministrisë dhe së dyti kur disa protestues hynë në oborrin e godinës.” Ish-gardisti mohoi të ketë marrë urdhër për të qëlluar. Sipas tij, “të shtënat në ajër kanë qenë në përputhje me rregullat e Gardës për mbrojtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë.” Seanca e sotme përmbyll fazën e marrjes së dëshmive ndërsa në seancat e tjera do të paraqiten provat shkresore të prokurorisë dhe palës mbrojtëse.

Në bankën e të akuzuarve për tragjedinë e 21 janarit, janë të ulur edhe  ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Ai akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj. Margarit Kume, shoferi i ish-shefit të Gardës Ndrea Prendi, akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës. I pandehur u mor dhe Armando Kasaj, specialist i IT në Këshillin e Ministrave por para pak kohe Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm.
(sg/shqiptarja.com)