Një skemë e dyshuar vjedhjesh në një dyqan Coin në via Giolitti, pranë stacionit Termini në Romë, e zbuluar gjatë vitit 2024 pas një mungese prej 184 mijë eurosh në inventar, ka çuar në hetimin e 44 personave, mes tyre 21 policë dhe karabinierë.
Çfarë ndodhi? Sipas hetuesve, në dyqan kryheshin vjedhje të vogla, por të vazhdueshme, që në total krijuan një dëm prej 184 mijë eurosh, ose 10.8% të xhiros vjetore, shumë mbi normën e zakonshme të humbjeve.
Kush është i përfshirë? Nën hetim janë 9 efektivë policie dhe 12 karabinierë me grada të ndryshme, si dhe rreth 20 punonjës dyqanesh të tjera në zonë. Një arkëtare e dyqanit dyshohet si pjesë kyçe e skemës.
Si funksiononte? Sipas hetimit, arkëtarja veçonte mallrat, ku kishte çanta, veshje, të brendshme, kozmetikë dhe parfume. hiqte magnetet kundër vjedhjes dhe i fshihte në një dollap pranë arkës. Kur paraqiteshin personat e përfshirë, qeset u dorëzoheshin pa u regjistruar në pagesë.
Si u zbulua? Hetimi nisi pasi inventari i vitit 2024 nxori një diferencë të pazakontë në bilanc. Pas kësaj u vendosën kamera vëzhgimi nga një agjenci private, të cilat zbuluan mekanizmin e dyshuar.
Sa persona janë nën hetim? Në total 44. Çështja është ende në hetim dhe të gjithë konsiderohen të dyshuar deri në një vendim gjykate.
Komente







