Prej disa ditësh, rruga Librazhd-Pogradec ka pësuar shembje në një pjesë të gjatësisë së saj, duke çuar në bllokimin e këtij aksi, për shkak të rrezikut që paraqet për qytetarët.

Inxhinieri Arben Meçe ka analizuar me detaje në emisionin ‘Frontline‘ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV faktorët që kanë çuar në shkatërrimin e këtij aksi rrugor.

Meçe përmes analizës së tij doli në konkluzionin se një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në prishjen e rrugës është ndërtimi i autostradës Korridori VIII, që sipas tij, ka mbingarkuar shpatin e malit.

Duke e cilësuar shembjen e rrugës një ngjarje të rëndë që rrezikon jetët e qytetarëve, Meçe shtoi se shembja e rrugës është një fenomen që do të shfaqet në të gjithë aksin nga Librazhdi në Prrenjas.

“Që në momentin e parë duhet të themi që edhe në projektin që bëhet e konceptojnë si një gjeometri. Që do të thotë skarpate me pjerrtësinë e vet, që do të thotë trup rruge, vija kalimi, mbushje gërmim. Në fakt fenomenet e kohëve të fundit, të cilat dalin në pah ngaqë Shqipëria në mënyrë të posaçme në 5-6 vitet e fundit, përfshi edhe Qukësin që ka që në 2009, po ndërton në terrene shumë specifike. Nëse deri dje ka ndërtuar rrugë në terrene fushore, ku nuk dalin në pah problemet. Sepse po pe edhe rrugën Tiranë-Durrës, është një rrugë absolutisht me probleme serioze dhe në superstrukturën e rrugës. Atje nuk ka pse të rrezikojë, sepse po ta shikosh, atje çdo vit bëhen meremetime. Dhe po e pe në pjesët anësore, ka valëzime që rrjedhin si rrjedhojë e dëmtimeve në themel. Për herë të parë ne po ballafaqohemi tani me rrugë që ndërtohen në formacione gjeologjike me probleme serioze. Një prej tyre ishte edhe kjo rrugë.

Po ta shikoni me vëmendje, formacioni shkëmbor është 2 tipologji. Njëri quhet konglomerat, kjo që duket si kokrriza. Konglomerat do të thotë shkëmbinj të vegjël, të rrumbullakosur, të cilët kanë ardhur si rrjedhim i prurjeve lumore dhe pastaj janë çimentuar dhe pastaj çimentimi mund të bëhet në forma nga më të ndryshmet. Përgjithësisht kjo zonë ka çimentim argjilor me përmbajtje të lartë hekuri dhe po ta shikosh prandaj është zonë e kuqe. Por çimentimi është një lloj argjile e cila në prezencë të ujit lëngëzohet. Në pjesën e sipërme, gati 2-3 metër, sheh që këto janë të gjitha prurje që janë depozita nga sipër. Pra bie shiu sipër, marrin urat dhe i depozitojnë. Në këtë kuadër, e gjithë kjo strukturë këtu është e përbërë nga këto dy elementë. Në thellësi të tyre, mund të ketë formacione të cilat mund të jenë shiste, mund të jenë struktura të tjetërsuara, por këtu në këtë zonë po ta shikosh nuk ka struktura shkëmbore solide. E kapa një gjë të tillë sepse që nga Librazhdi deri në Prrenjas, janë struktura të kësaj natyre, që në prezencë të ujit pësojnë këtë fenomen.

Për ta shpjeguar këtë fenomen, unë kam bërë një skicë. Shihe si është struktura e kësa pjesë këtu. Këtu është lumi, këtu është hekurudha, këtu është rruga ekzistuese sot dhe këtu është ndërtimi i ri që po bëhet. Pra janë 3 struktura rrugore që janë paralele me njëra-tjetrën. Po vijmë te lumi. Sado që ta gërmosh lumin, se ka një pretendim që kanë marrë... Në fund do ta kuptojmë që lumi nuk ndikon fare në këtë gjënë këtu që po ndodh. Lumi këtu, hekurudha. Para se të ndodhte shkarja e madhe, hekurudha nuk kishte fare lëvizje. Kjo ishte stabël. Goditje kishte në këtë zonën këtu. Ishte kjo që gjithë mediat thanë që është një shtyllë. Pra te shtylla e tensionit të lartë kishte filluar një shkarje, pra ka prodhuar një plan rrëshqitjeje dhe kjo ka nisur të lëvizte. Kjo ishte shenja e parë. U fol pastaj edhe për këtë goditjen këtu. Kjo goditja këtu nuk vjen si pasojë e kësaj rrëshqitjeje, sepse kur ne bëjmë analizën statike, këtë lidhjen e traut me shpatullën nuk e bëjmë të inkastruar. Dhe po ta shikoje me vëmendje, kjo ishte shkëputur. Që do të thotë se ishte goditur nga ky krah dhe kjo kishte lëvizur. Po ta shikosh kjo shpatull nuk ka lëvizur, kur të gjithë jepnin informacion se kjo kishte lëvizur. Kjo kishte ardhur si rrjedhojë e një goditje këtej, por përsëri nuk ka të bëjë me këtë që po diskutojmë ne.

Por tani, çfarë u bë në këtë moment. Kjo pjesa këtu filloi të mbushej për të prodhuar bypassin. Dhe dje u dha njoftimi se me këtë mbushje rruga do të transferohej nga këtu, këtu dhe prej këtu do të bëhej qarkullimi. Veprimi i parë që u bë nga ana e gjeologëve është që shpuan këtu. Dhe drejtori i rrugëve tha që kemi bërë shpime dhe rezultonte që plani i shkëputjes këtu ishte 7 metër thellë. Me 7 metër thellë, kjo nuk përbënte gjë, ishte një shkarje që riparohej. Në skicë shkarja është mbi murin Teramesh dhe tashmë kemi një plan rrëshqitjeje që kalon në thellësi dhe del në lum. Kjo shkarja këtu në vetvete tregon se kemi një problem serioz me stabilitetin e të gjithë malit. Nuk është pjesore, nuk është rrjedhimi i lumit. Hekurudha është kaq poshtë... Sepse unë jam marr me projektimin edhe të hekurudhës Rrëshen-Klos dhe duke ditur këto probleme, ne urat i fusnim poshtë, që të mos përballeshim me këto fenomene. Por sado ta gërmosh këtë masë këtu, kjo masë nuk mbahet nga kjo këtu. Ti mund t’i vije edhe mure të mëdhenj, por ishte e pamundur. Edhe po ta gërmosh këtë këtu, mund të kishte plan rrëshqitjeje vetëm këtu. Tani çfarë ka ndodhur? Këtu është ndërtuar rruga e re. Dhe kjo është autostrada korridori VIII. Korridori VIII ka dy elementë në vetvete. Me të kuqe janë shirat. Kur nuk ekzistonte rruga, shiko çfarë ndodhte me shirat, vinin këtu dhe kalonin këtu. Shirat kanë arritur të depërtojnë dhe e kanë lëngëzuar ambientin. Por nuk është ky faktori kryesor.

Faktori kryesor është kjo ndërhyrje këtu, e cila ka bërë mbushje, ka prurë edhe terrameshin. Terrameshi është masë e madhe që... Kjo mbushje këtë shpat e ka mbingarkuar. Kjo mbingarkesë nga punimi plus lagështinë, plus edhe një faktor tjetër, sepse kjo zonë është zonë mirëmbajtëse, sepse po ta shikosh strukturën e tokës në atë zonë, ka shumë toka bujqësore. Është tokë bujqësore që ka shumë mbetje apo depozita që vijnë nga mali sipër. Kështu që bashkimi i faktorit ngarkesë e shpatit me ujin ka sjellë absolutisht këtë plan rrëshqitjeje që është shumë i thellë. Nëse do të ishin vetëm faktori i shirave dhe jo faktori i punimeve të rrugës së autostratës së Korridorit VIII nuk do ta kishim këtë rrisk. Faktori kryesor që ka ngacmuar shkarkimin është ndërtimi. Sepse ndërtimi ka sjellë mbingarkesë të shpatit, i shoqëruar ky me prezencën e ujit...

Tani kush është fajtori themi ne në këtë moment? Përgjegjësinë do e caktojë prokuroria. Së pari terrameshi ndodhet në formacione të qëndrueshme? Pra ky themeli këtu duhet të mbante gjithë këtë ngarkesë dhe duhet ta transmetonte në pjesën e poshtme në një themel shkëmb, që të mos kalonte ngarkesa në pjesën poshtë. A jemi në këto kushte? Nuk e di as unë. Fakt është që plani i rrëshqitjes është poshtë themelit të kësaj. Kjo do të thotë se ky themel nuk është vendosur në themele të qëndrueshme. Duhet të ishin bërë studime gjeologjike.

Pa filluar rruga, shfrytëzimi i saj u transmetua një defekt shumë serioz që mund të jetë ose i projektimit, ose i gjeologjisë, ose edhe i një fakti tjetër që është për t’u debatuar, nëse ekziston apo jo një shkarkues. Por nëse do shohësh planin këtu, shikoje ku është ura. Si rregull ai kanal duhet të ishte në këtë zonë këtu të urës, se kjo është natyralja. Por po ta shikosh, shkarja ka dalë gati 100 metër larg urës dhe kjo do të thotë se nuk lidhet me basenin natyror të lëvizjes së ujit.

Kjo është strukturë absolutisht e shkatërruar. Kjo si strukturë toke. E dyta, rruga do vazhdojë këtu, sepse kur bëjmë projektimin e një rruge, ka 2 pika që duhet të bashkohen dhe nuk mund të bësh lëvizje, pasi të ndryshon gjithë projekti. Zgjidhja është që do bëhet shpimi, do kapet thellësia ku formacioni është i qëndrueshëm dhe ka shumë forma, ka pilota që futen dhe krijojnë bazament. Gjithë kjo masë dheu quhet e destabilizuar dhe nuk përdoret më. Këtë vetëm ta heqësh dhe të hapësh themelet e një formacioni Via-Dukt. Në Kosovë është një rrugë e tërë që është bërë Via-Dukt. Këtu nuk kalohet më. Kjo është rrezik, sepse nga momenti në moment në prezencë të ujërave, kjo bie menjëherë, bie ortek. Është një ngjarje në planin teknik e rëndë. Është një fenomen që do të shfaqet në të gjithë aksin nga Librazhdi në Prrenjas. Të njëjtën situatë kemi në Qukës-Qafë Thanë. Aty ka shumë situata të tilla. Unë nuk kam asnjë informacion se kush është trupa që ka bërë projektin. Fillimisht përgjegjësinë për projektin e mban projektuesi, përgjegjësinë për zbatimin e mban ndërtuesi”, përfundoi Meçe.

Zyrtarisht institucionet thonë se rrëshqitjet masive kanë ardhur si ngjarje natyrore, por ndërtimi i rrugës së re është shoqëruar me një seri lejesh të dhëna kompanive ndërtuese që kanë marrë përsipër rrugën e re, pjesë e Korridorit 8, për të shfrytëzuar basenin e Shkumbinit për inerte.

Report TV hulumtoi më herët lejet e dhëna për shfrytëzimin e materialeve inerte të Basenit të Shkumbinit. Katër kompani që kanë fituar edhe disa lote të këtij projekti rrugor, kanë 5 leje për të gërryer lumin dhe për të marrë inerte.

Sipas të dhënave, sipërfaqja e lejuar për t’u gërryer në total është 1,565,141 metër katror, dhe totali i inerteve që do të merret prej shtratit të lumit është 3,531,728 metër kub.