Shërbimi i fekondimit artificial në maternitetin Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” po jep rezultatet e para konkrete.

Që nga nisja e programit, 22 bebe kanë ardhur në jetë përmes riprodhimit të asistuar, ndërsa aktualisht janë edhe 9 shtatzëni në proces.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ky është një shërbim i financuar nga shteti, që synon t’u japë mundësi çifteve të kenë fëmijë pa kosto të papërballueshme.

Në një video shpjeguese të postuar të martën në rrjete sociale, autoritetet dhe mjekët tregojnë me detaje se çfarë ndodh brenda laboratorit.

Aty, çdo hap është i kontrolluar deri në detaj. Procesi nis me marrjen e ovociteve dhe përpunimin e materialit, vijon me fekondimin në kushte të monitoruara dhe mbyllet me transferimin e embrionit te pacientja.

Mjekët theksojnë se faza më delikate është ajo e ndërhyrjes në laborator, ku kërkohet precizion maksimal dhe kushte optimale për zhvillimin e embrionit.

Embrionet mbahen në inkubator deri në ditën e pestë dhe më pas përzgjidhen më cilësoret për transferim.

Sipas MShMS-së, kjo qendër e parë publike të riprodhimit mjekësor të asistuar, falë së cilës kanë ardhur në jetë 22 bebe, të gjitha lindje të shëndetshme, pritet tu japë një shans real shumë çifteve shqiptare për tu bërë prindër.