Përdorimi i tepërt i telefonit dhe teknologjisë po ndikon gjithnjë e më shumë te zhvillimi i fëmijëve, ndërsa prindërit duhet të kenë një rol më aktiv për të vendosur kufij. Ky ishte mesazhi që dhanë pedagogia Nora Malaj dhe sociologia Stela Nikolla, të ftuara në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV.
Nora Malaj theksoi se vitet e para të jetës janë vendimtare për zhvillimin e fëmijës dhe se prindërit duhet të ndihmohen më shumë.
“Qasja ndaj botës virtuale duhet të jetë e tillë që të mos dëmtohen aftësitë psikomotorike të fëmijës. Roli i prindërve duhet të ndahet mirë. Janë dy shinat paralele të një treni që është fëmija. Para se të shkojë në klasë të parë, nga 0 deri në 6 vjeç janë momentet më kulmore të formimit, ndaj ka ardhur koha të ndihmohen prindërit e rinj. Duhet të bëjmë politika reale në mbështetje të familjes, por edhe shteti të ndihmojë që karriera e prindërve të vazhdojë dhe fëmijët të mbështeten”, u shpreh Malaj.
Nga ana tjetër, sociologia Stela Nikolla solli edhe përvojën e saj personale si nënë, duke treguar se sa e vështirë është të kufizohet përdorimi i telefonit.
“Jam nënë e vetme dhe përgjegjësia është e gjitha mbi mua. Vështirësia rritet. Në familjen tonë nuk kemi asnjë me syze, por goca ime është me syze. Mendoj se 90% vjen nga telefoni. Është bërë sëmundje e kohës. Më ka ndodhur që unë kam qenë në sallon dhe goca në dhomën e saj, ndërsa më ka shkruar në ËhatsApp për të më pyetur çfarë kemi për drekë. Pra jetojmë në një shtëpi dhe flasim me WhatsApp”, tha ajo.
Malaj dhe Nikolla apeluan që prindërit të jenë më të pranishëm në jetën e fëmijëve dhe të vendosin kufij në përdorimin e telefonit që në moshë të vogël. Sipas tyre, kontrollet e rregullta të syve dhe zhvillimit të fëmijëve janë të domosdoshme, ndërsa komunikimi brenda familjes mbetet mënyra më e mirë për të shmangur izolimin social dhe varësinë nga teknologjia.





Komente
Komento