TIRANË, 24 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Partia Bashkimi i Drejtave të Njeriut perkujtoi te marten ne mbremje 23-vjetorin e themelimit të saj.
Kreu i kësaj partie, Vangjel Dule, që është njëkohësisht edhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh se partia e tij udhëhiqet nga parimet europiane, ndërsa shtoi se shumë shpejt kjo parti do të rithemelohet.
Përmes një deklarate për shtyp nga selia e PBDNJ-së, ku u zhvillua një ceremoni për këtë rast, Vangjel Dule e nisi deklaratën e tij duke i dedikuar një përshëndetje të veçantë themeluesve të partisë. "Në 23-vjetorin e partisë shpreh nderim për themeluesit, pasi ata janë zanafilla jonë", tha ai.
Më tej, Dule duke shpalosur vlerat e partisë që ai drejton, theksoi se "ne jemi forcë e mirëfilltë europiane, që ka si pikë udhërrëfimi pikërisht vlerat europiane, që na bëjnë të jemi optimistë dhe të kthejmë sytë nga vetja për t'u reformuar e për të ecur përpara".
Ai tha se PBDNJ është vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare. "Ne përmes këtyre vlerave europiane jemi një vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare. Ne mendojmë se ne një shoqëri pavarësisht përkatësive gjuhësore, fetare, çdo qytetar duhet të jetë i barabartë. Pas këtyre zgjedhjeve vendore do riorganizohemi, rithemelohemi, që vlerat tona t'i shndërrojmë në aktivitet politik", përfundoi Dule. /a.ke/









