Një i ri shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë britanike ndërsa akuzohet për kultivim të kanabisit. Mësohet se është arrestuar 23-vjeçari Bledar Simaku, i cili u kap brenda një ‘shtëpie bari’ në Bradford të Britanisë së Madhe.
Shqiptari për t’i shpëtuar arrestimit, është ngjitur në çatinë e ‘shtëpisë së barit’ duke u hedhur nga lartësia. Pas hedhjes, i riu theu këmbën, dhe tentoi të largohej por kamerat e sigurisë e nxorrën zbuluar dhe autoritetet i vendosën prangat.
Sipas raportimeve policia ka gjetur rreth 600 rrënjë kanabisi në ‘shtëpinë e barit’ ndërsa ferma e prodhimit të kësaj lënde narkotike ishte e pajisur me llamba të posaçme për rritjen e bimës.
Sakaq, 23-vjeçari shqiptar, kishte hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ndërsa autoritetet i gjetën edhe kartën e identitetit shqiptare. Simaku është shpallur fajtor për prodhim dhe shitje të kanabisit ndërsa është dënuar nga autoritetet britanike me 15 muaj burg.
Sipas mediave të huaja, mësohet se 23-vjeçari shqiptar do të vuajë gjysmën e dënimit prej 15 muajsht dhe më pas do të deportohet drejt Shqipërisë.