Paraditen e 24 korrikut 1997 Rexhep Meidani filloi mandatin e tij si President i Republikës. Nuk pati ceremoni, as shampanjë, as kalim normal të detyrës dhe përgjegjësive. Në selinë e re gjeti dy zyrtarë protokolli dhe disa pajisje zyre. Me siguri që as Meidani dhe as personat e paktë prezent në atë akt formal dhe tërësisht jo ceremonial të marrjes së detyrës nuk do e kishin menduar se pavarësisht kësaj, kalendari politik shqiptar po  fitonte një datë simbolike, -ditën presidenciale. Më 24 korrik 2002 Alfred Moisiu moridetyrën e Presidentit përmes një ceremonie dinjitoze, zyrtare dhe shtetërore. Presidenti Meidani i dorëzoi Kushtetutën, Presidenti Moisiu mbajti fjalimin e rastit dhe kështu u shënua rotacioni i parë demokratik në krye të shtetit shqiptar në 100 vjet.

Princ Wied u dëbua nga Shqipëria, shumica e Këshillit të Lartë emigroi ose u shkarkua, Presidenti Zogu ia kaloi detyrën vetvetes, pra Mbretit Zog dhe ky, u dëbua më 1939, ashtu si sundimi i deleguar i V.Emanuelit më 1943. Këshilli i Regjencës emigroi ose u ekzekutua për t'i lënë vendin sistemit komunist të ardhur me armë, pa zgjedhje e rotacione politike. Më 1991 Presidenti Alia pasoi detyrën e tij si Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kurse në prill 1992 pas dorëheqjes së imponuar të tij Presidenti Berisha e mori detyrën pa ceremonial dhe dorëzim zyrtar. Më 1996 Presidenti Berisha pasoi vetveten edhe një mandat që zgjati vetëm katër muaj, derisa dha dorëheqje duke refuzuar kalimin protokollar të detyrës.
Më 24 korrik 2007 President u zgjodh Bamir Topi. Presidenti Topi e mori detyrën gjithashtu përmes ceremonialit zyrtar, një traditë e brishtë dhe thuajse përjashtuese shqiptare. Më 24 korrik 2012 pritet që Presidenti Topi ta dorëzojë gjithashtu detyrën përmes të njëjtës praktikë ceremoniale tek pasardhësi i tij, Presidenti i zgjedhur Bujar Nishani. Në këtë mënyrë, më 24 korrik kanë marrë detyrën katër presidentë (Meidani, Moisiu, Topi e Nishani) përmes tre ceremonive zyrtare, duke krijuar kështu një model rotacioni presidencial, të pashembullt të praktikën tonë shtetërore, por njëherësh, me vlera të larta simbolike për të gjitha institucionet e tjera kushtetuese e politike.

Nuk ka rëndësi nëse emri i zgjedhur ishte partiak ose konsensual, nëse ata ishin miq apo kritikë politikë. Në çdo rast të përmendur më lart kreu i shtetit, ai që dorëzoi mandatin apo që e pasoi atë, shfaqi një tipar të munguar në kulturën dhe politikën shqiptare: respektin për institucionin, për publikun dhe për shtetin. Shqipëria ka ndryshuar rreth 12 kryeministra dhe 85 ministra, por vetëm një herë kemi pasur rotacion zyrtar dhe ceremonial të qeverisë. Janë të panumërta rastet (përfshirë dy nga katër emërimet e fundit në qeveri) kur edhe brenda të njëjtit kabinet nuk ka dorëzim zyrtar e protokollar të detyrës, por refuzim, përjashtim, denigrim ndaj pasuesit ose paraardhësit. E njëjta sjellje apolitike shfaqet edhe në nivele të tjera drejtuese, në institucionet kryesore qendrore apo në bashkitë e mëdha, në këshillat bashkiake dhe të qarqeve, në rrethet akademike apo deri edhe entet sportive e mediatike. E njëjta situatë është edhe në partitë politike, ku nuk ka rotacion drejtuesish, por edhe në ato pak raste kur ka, mandatet e reja dhe të vjetra krijojnë hendek konflikti e përjashtimi.
Qoftë edhe për këtë arsye 24 korriku merr një vlerë të veçantë: bëhet një datë inspiruese e shprese se me vullnet politik e sjellje qytetare individuale edhe Shqipëria mund të bëjë gjëra normale, të cilat vendet e tjera evropiane i kanë sprovuar shekuj më parë. Natyrisht që kjo domethënie elitare mund të mos ketë pasoja direkte në jetën qytetare (një palë feston, një palë trishtohet, një palë tjetër bojkoton, disa janë të pandjeshëm dhe të painteresuar etj), për mua dhe disa kolegë të nderuar të mi kjo datë mëse njëherë shoqërohet me ndërprerjen e mandatit të shërbimit shtetëror pranë kreut të shtetit, por këto janë e mbeten dukuri tranzicioni të parëndësishme përballë mesazhit të madh shtetëror, qytetar dhe politik që sjell e përçon rotacioni demokratik dhe ceremonial në krye të shtetit. Ky mesazh është ajo çfarë mbetet në kujtesën historike, nga ato pak gjëra që na bëjnë dinjitozë brenda nesh dhe përballë të tjerëve. Ndaj data 24 korrik meriton respekt, vëmendje e reflektim nga të gjithë ata që kanë refuzuar apo refuzojnë mesazhet e saj, si një ditë simbol, dita e sjelljes evropiane, dita jonë presidenciale.
(Shkrimi u botua në Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)