Në hasmëri me Arben Isufajn, i njohur si “Ben Qimja”, Selami Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje pas përplasjes me armë në të cilën humbi jetën edhe nipi i Isufajt. Hasani, i njohur në Fier si “Sel Çami”, ishte liruar nga burgu prej disa vitesh. Ai u vra me armë zjarri teksa punonte në murin rrethues të banesës së tij, ndërsa nipi i tij mbeti i plagosur.

Përplasja për të cilën u dënua Hasani ndodhi më 25 mars 2002, pranë “Sheshit të Valutës”, në qendër të Fierit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë Julian Isufaj, nipi i “Ben Qimes”, dhe kambisti Esat Tare. Dy persona të tjerë, Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, mbetën të plagosur. Sulaj ishte kalimtar i rastit.

Sipas dosjes hetimore dhe raportimeve të kohës, në përplasje u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha. Si shkak i të shtënave dyshohej një hasmëri e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.

Pas ngjarjes, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati. Më 12 gusht 2009, forcat RENEA e arrestuan në Fier, gjatë operacionit të koduar “Parukieri”. Në momentin e arrestimit, policia i sekuestroi dy pistoleta.

Ai është liruar nga burgu disa vite më parë, ndërsa sot u ekzekutua në një atentat mafioz teksa punonte oborrin e banesës. I plagosur mbeti nipi i tij, Jakupi i cili ndodhet në spital.

Si nisi hasmëria me “Ben Qimen”?

Sipas raportimeve mediatike, fillimet e konfliktit datojnë në vitin 1994, kur Arben Isufaj, atëherë rreth 19 vjeç, u përplas me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemrin Yzeiri. Të tre përshkruheshin si njerëz të afërt me Selami Hasanin. Në mosmarrëveshje ndërhyri edhe Enver Isufaj, babai i Arbenit, i cili u përpoq ta zgjidhte konfliktin.

Pak kohë më vonë, Enver Isufaj u vra në një bilardo pranë banesës së tij, në zonën e Sheqit, në Fier. Pas vrasjes së të atit, Arben Isufaj u largua nga Shqipëria dhe, sipas raportimeve, u kthye në Fier në fund të viteve ’90.

Në hetimet e mëvonshme u ngritën dyshime se në vrasjen e Enver Isufajt mund të ishin përfshirë Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit, dhe Pëllumb Yzeiri. Ngjarja mbeti e pazbardhur në atë kohë.

Në vitin 1998, Vladimir Hasani u vra në qendër të Fierit. Tre vjet më vonë, në vitin 2001, në Spanjë u vra Pajtim Yzeiri. Të dyja ngjarjet u lidhën në raportimet mediatike me hasmërinë që i parapriu përplasjes së vitit 2002 në “Sheshin e Valutës”.