Synimi i Partisë Demokratike është që brenda 30 nëntorit të ketë zgjedhur disa prej emrave të mundshëm për kandidatët e zgjedhjeve 2027. Më pas do të vijojë një fazë përzgjedhjeje, shpjegon Gazment Bardhi në Report Tv, e më pas një propozim për të kaluar fazën e primareve.

Mundësia që PD pret, është bashkimi i gjerë i opozitës, pavarësisht mendimeve të kundërta mes forcave politike.

“Brenda 30 nëntorit mbyllim procesin e brendshëm të vjeljes nga anëtarësia. Pas kësaj do të ketë një paraseleksionim nga një komision i ngritur nga Kryesia dhe më pas do të gjykohet nga Kryesia e partisë nëse do t’i propozojë organeve statutore që në këtë zgjedhje, primaret mos të aplikohen. Në këtë fazë dhe realitet politik, nuk do të ishte e këshillueshme të kishim një proces tjetër të brendshëm brenda PD. Sondazhi mund të jetë një metodë e mirë, por do të ketë një vend të posaçëm.

Nuk kemi ende një kandidaturë tonën, por presim mundësinë e një fronti të gjerë opozitar me një kandidat. Mes militantëve dhe anëtarëve të partive të ndryshme mund të ketë debate të ndryshme. Ftesa e PD ka qenë ndaj çdo faktori opozitar që kërkon të mundë Edi Ramën, ka qenë pa parakushte, kemi folur për një proces që identifikon kandidatë fitues në të gjitha bashkitë dhe kjo tregon vullnetin tonë të plotë për t’u bashkuar dhe mundur Edi Ramën”, tha Bardhi.

Lista e plotë e kandidatëve mendohet të jetë gati brenda dhjetorit. Cilido qoftë skenari, PD nuk tërhiqet nga zgjedhjet.

“Besoj brenda muajit dhjetor do të kemi listën e plotë të kandidatëve tanë në njësitë e qeverisjes vendore. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, PD e ka bërë të qartë që nuk bojkoton, por do të marrë pjesë në çdo proces”, tha Bardhi.


Lajmi kryesor:

Buxheti 2027, Bardhi në Report Tv: Gati amendamentet e PD, nga nesër nis prezantimi! Këtë javë çojmë në Kushtetuese hartën e re territoriale