Shpesh në jetë ndodh të mendosh për njerëzit e tu, familjen, motrën, vëllanë, shokët që ke ndarë bankat e shkollës, aty ku ke punuar dhe jetuar.
Natyrish prindërit zënë vendin kryesor në vëmendjen dhe zemrën tonë, pasi pothuajse askund nuk e gjen atë dashuri që fal prindi. Por kushdo ka dikë që ka lënë një impakt të pashlyeshëm në jetë dhe që është bërë ndoshta një prind i dytë, një motër, vëlla ose mik shumë i mirë. Nuk po përpiqem aspak t'i përzgjedh fjalët, pasi nuk flas shumë e për më tepër të shkruaj. Në jetë kam folur më shumë me gjuhën e lëvizjeve, me gjuhën e trupit, të gjesteve dhe veprave. Ata që kanë kërcyer, kanë punuar dhe punojnë në artin e koreografisë mund ta kuptojne mjaft mirë këtë që po them. Megjithatë sot dua të ndalem e të shkruaj ca rreshta për një emër, për një personalitet, për një figurë të heshtur që me gjithë madhështinë që e karakterizonte ndenji modest deri në fund të jetës së tij.
E pra, nëse je shqiptar dhe ke qenë pjesë e artit të Koreografisë është e pamundur të mos jesh takuar me një emër: Panajot Kanaçi. Unë e kam patur pedagog kryesor, por edhe më shumë se aq. Ditën që do të diplomohesha, profesor Panajot Kanaçi bashkë me bashkëshorten e tij, Marianthi do të më thonin, "Ti tani je vajza jonë Angjelina“. Por le të kthehemi disa vite pas në kohë... ekzaktësisht në vitin e largët, 1981, atëherë kur u hap për herë të parë në Akademinë e Arteve të Bukura dega e Koreografisë. Ishin pjekur kushtet tashmë për të patur një brez të rinjsh në këtë fushë dhe gjithçka ishte gati për të prodhuar artistë të rinj.
Pedagogët e parë që kishin studiuar në Moskë do të ishin ata që do ta merrnin nga hiçi dhe do ta çonin në majat më të larta Koreogafinë Shqiptare.
Citoj këtu emra të tillë si; Panajot Kanaçi, Agron Alija, Gëzim Kaceli, Skënder Selimi. Pedagogë si; Dr. Prof. Ramazan Bogdani dhe Artisti i meritar Petrit Vorpsi etc. Unë isha një nga 7 studentet e para bashkë me Lulzim Hysaj, Gëzim Radani, Ali Beli, Deli Metalija, Skënder Tare dhe Robert Lani. Drejtimi i kësaj klase iu besua profesorit, Artistit të popullit, Panajot Kanaçi. Perveç ambienteve të Universitetit të Akademise së Arteve ne patëm mundësinë dhe fatin do të thoja të studionim edhe në ndërtesën e TOB (Teatri i Operas dhe Baletit). U pajisëm me një fletë-hyrje të veçantë dhe në këtë mënyrë jo vetëm ndiqnim provat në studiot e baletit, por edhe të shihnim repertorin që luhej në skenë në atë kohë. Ka kaluar një jetë tashmë, por tek unë dhe besoj edhe tek të gjithë shokët e mi të kursit kanë mbetur të pashlyeshme leksionet e Profesorit, Panajot Kanaçi. Ai kishte një kulturë të gjerë. Zotëronte disa gjuhë të huaja, fliste me një elokuencë të veçantë, ishte bindës, por mbi te gjitha ai ishte dhe mbetet një balet-maestro i klasit të parë që e nderoi atdheun tonë që në atë kohë brenda dhe jashtë vendit. Besim Zekthi, Lili Cingu, Rexhep Celiku dhe te tjere u perzgjodhen si solistë dhe u pregatiten nga Baletmaestro Artist i Popullit Panajot Kanaçi.
Ai njihte në detaje vallet burimore nga çdo krahinë e vendit dhe mund të fliste pafund për zhvillimin e Koreografisë Botërore. Na fliste për to, për bukurinë, madhështinë, forcën përcjellëse që ato mbartin në popull dhe mesazhin që ato sillnin dhe përcillnin në popull. Shpesh na thoshte: "Nuk ka rëndësi çfare thuhet mbi Koreografinë, një Njeri apo Komb, rëndësi ka që flitet për të. Kjo do të thotë se ai/ajo jeton“. Ai e vendoste theksin e krijimtarisë koreografike tek shkrirja e elementeve popullore, të cilat në kërcimet dhe vallet shqiptare janë të panumërta, me ato klasike, si dhe tranzicioni, lidhja e pjesëve të koreografisë nga ekspozicioni deri në finale, ku përmbatja/ tema e koreografisë luante gjithashtu një rol kryesor. Ose, gjetja e lëvizjes që flet, e cila sipas tij, transmeton përmbajtjen e koreografisë dhe se çdo formë e saj ka një temë e cila zhvillohet dhe transmetohet tek shikuesi. Natyrisht nuk mund të shkruaj këtu ato qindra leksione për Artin e Koreografisë, që ai na jepte ne Universitet, sepse do ish’ e pamundur. Për jetën dhe veprën e tij kanë shkruar mjaft kolegë dhe bashkëkohës të tij. Dua të përmend shkrimet e Albert Jankut, monografinë e Engjëll Tërshanes, Bexhat Agollin, Ramazan Bogdanin, Dedin Sulin, etj… Jam e sigurtë që mjaft vepra të tjera do të shkruhen për të, sepse ai ishte dhe mbetet një uragan në fushën e tij.
Siç e thashë më lart, unë personalisht kam qenë mjaft e lidhur me të dhe bashkëshorten e tij, Marianthin. Më mbanin si vajzën e tyre. Megjithëse punoja si koreografe në Pallatin e Kulturës, Mirditë, shkoja shpesh në Tiranë për t'i takuar dhe flisnim jo vetëm për punën që drejtoja, ku edhe më këshillonte çfarë mund të bëja në situata të ndryshme, por edhe në aspektin e jetës personale.
Edhe mbasi u largova nga Shqipëria kurrë nuk i ndërpremë kontaktet. Telefonoheshim shpesh. Një dite tek po flisnim më tha se kishte qenë në Gjirokastër dhe atje i kishte
rrëshqitur këmba. Si rezultat kishte "këputur mish në shpinë". Më tha se kishte mjaft dhimbje. I dërgoja nga Zvicra ku jetoj ilaçet përkatëse posaçërisht për t'i lehtësuar dhimbjen. Kishte gjetur mundësinë për të shkuar në Greqi dhe të vizitohej. Kur u kthye nga Greqia shkova në Shqipëri dhe e takova. Ishte fillim pranvere, viti 1996. Midis të tjerash më tha, "kur po bëja EMR e trupit kuptova që jeta ime ishte drejt fundit". Pikërisht atë ditë më tha se ndoshta ishte hera e fundit që shiheshim. Dhe, duke thënë këtë filluan t'i binin lotët. U mërzita pa masë. S'e kisha parë kurrë në atë gjendje. Por, nuk besoja se do ishte hera e fundit, madje po bënim plane të vinte në Zvicër. Dëshira ime e madhe ishte t'i shërbeja si prindit tim, të ndjente ndjesinë e të paturit një vajzë të tijën.
Por, fatkeqësisht ai mbylli sytë dhe u nda nga kjo jetë më 13 Gusht 1996. Po ndaj këtu me ju një pjesë të vogel nga korrespondenca që shkëmbenim. Nuk munda ta percjell për në banesën e fundit. Nuk më lajmëruan. Por shkova kur u bënë të 40-at, siç i themi ne shqiptarët.
Një natë e pashë në ëndërr profesorin dhe telefonova menjëherë Marianthin. Ajo ishte mjaft e shqetësuar. Do t'i shkonin mjaft artistë për përkujtimoren e 1 vjetorit. Marianthi nuk kishte të ardhura të mjaftushme për këtë. I thashë se do të vij, dhe u nisa menjëherë. Edhe pse e kisha pothuajse të pamundur në atë kohë, u nisa pa e marrë parasysh çfare do me ndodhte. Kur u takuam dhe e pashë që u mallëngjye, u ndjeva e lehtësuar.
Personalisht jam shumë e lumtur që munda të kontribuoja sadopak për banesën e fundit të atij njeriu të madh, Panajot Kanaçi. Mendoj se figura të tilla meritojnë vëmendje në të gjallë e në të vdekur të tyre, jo vetëm nga unë, por edhe nga institucionet e Artit dhe te
Shtetit, sepse ai ishte një themeltar Arti dhe Profesor i shkëlqyer, Artist i Popullit, si dhe kontribues me vlera të jashtëzakonshme në artin e Koreografisë . Në pllakën e varrit të tij madje është edhe një vargu im, në të cilin shkruhet:
"Shpirti na bashkon në përjetësi" dhe "Kujtim nga bashkëshortja Marianthi dhe studentja, Angjelina". Miqtë e mi të mirë, kudo që jeni, në Shqipëri apo kudo në botë, të gjithë ju qe keni patur shansin ta njihni Panajot Kanaçin si student, si koleg, mik apo çfarëdo, po ju them se këto rreshta i shkruajta me mjaft modesti dhe rrezervim, Nuk ndjehem kompetente në të shkruar, ose më saktë, e kam të vështirë të shkruaj diçka bukur ashtu siç duhet për këtë njeri të madh. Por, fjalët e mia kanë dalë nga zemra, dhe janë, fjalë zemre. Do kisha dashur t'i gjendesha më afër, ashtu si vajzë e tij të përkujdesesha për të, por kaq munda të bëj. Jam e lumtur edhe për faktin se kam qenë pjesë sado e vogël e jetës së tij.
Megjithatë, unë në këtë shkrim nuk mundem dhe as e bëj dot që të fajësoj njeri pse askush nuk u kujdes që të paktën pas vdekjes dikush të merrej me rregullimin e varrit të tij, ama kam të drejtën e gjithë botës të them që, Panajot Kanaçi meritonte më shumë nga jeta dhe institucionet shtetërore. I dha kaq shumë atij vendi dhe mori aq pak.
Njerëz si Panajot Kanaçi meritojnë të jenë në Muze, sepse vërtetë kanë bërë aq shumë për vendin e tyre. Ai u ka dhënë njerëzve buzëqeshje, mirësi e para së gjithash kulturë dhe art dhe u ka shërbyer atyre dhe vendit me profesionalizëm më të lartë. Ne studentët, shokët, kolegët, miqtë e tij mund të shkruajmë sadopak për të në mënyrë, që ta sjellim të gjallë memorien për këtë njeri e pse jo ndoshta një ditë mund t'i botojmë këto kujtime si një libër me mbresa për njeriun e madh, Korifeun e Koreografisë Shqiptare, Artistin e popullit, Panajot Kanaçi. Faleminderit!