Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë sot në 245-vjetorin e themelimit të Teqesë së Frashërit. Para besimtarëve bektashinj, të cilët 5 shtatorin e kanë ditë pelegrinazhi, ai  nderoi vëllezërit Frashëri dhe kujtoi vlerat historike të kësaj teqeje për përhapjen e dijes, për ruajtjen e identitetit shqiptar dhe çështjen kombëtare.

“Që nga viti 1781, kur “hodhi çatinë “kjo teqe, ajo nuk shërbeu vetëm si vend lutjeje. Ajo u bë shtëpi e hapur për udhëtarin, vatër dijeje e kuvendimi dhe, mbi të gjitha, vatër e ndërgjegjes shqiptare”, - deklaroi Presidenti.

Kreu i Shtetit kujtoi rolin e klerikëve bektashnj në momentet vendimtare për shqiptarët, nga Rilindja, deri në ndërtimin e shtetit. 

“Në ditët tona ne flasim shumë për harmoninë fetare, vërtet një vlerë e jashtëzakonshme, dhe shpesh rrezikojmë ta kthejmë atë në një formulë protokollare, por harmonia fetare shqiptare nuk lindi në tryeza zyrtare apo si çeshtje protokollare. Ajo u gatua në vende si kjo teqe, nga breza klerikësh e besimtarësh që ditën të ishin të përkushtuar në besimin e tyre dhe, njëkohësisht, të shihnin tek tjetri bashkëkombësin, fqinjin, vëllain e një gjaku e të një gjuhe. Drita e besimit dhe kujtesa e një populli nuk mund të shlyhen”, - u shpreh ai, duke kujtuar dhe përpjekjet e klerikëve që i mbijetuan diktaturës në Shqipëri dhe rizgjuan besimin, tha Begaj.

Ai theksoi rëndësinë për mbrojtjen dhe përcjelljen e  kujtesës kombëtare dhe identitetit kombëtar.

“Pelegrinazhi në Frashër është një udhëtim në rrënjët e identitetit tonë, atje ku besimi u bë dije, dija u bë vetëdije dhe vetëdija u bë atdhetari. Ndoshta prandaj sa herë që Naimi mendonte për Shqipërinë, mendja e shpirti i ktheheshin te kjo natyrë e te këto male. Dhe prej këtej, ai na la testamentin më të bukur: “Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqipëtar. Sot, nga Frashëri, kjo thirrje na kujton se nga vijmë dhe përgjegjësinë që kemi për vendin që do t’u lëmë brezave të ardhshëm", shtoi ai.

Begaj e mbylli vizitën e tij në Frashër duke vizituar shtëpinë e vëllezërve Frashër.