TIRANË- Një 24-vjeçar nga Taxhikistani, i akuzuar si pjesë e ISIS është arrestuar në Tiranë, pasi Gjermania kishte lëshuar urdhër arresti më 21 prill 2020. Burime për Report Tv bëjnë me dije se bëhet fjalë për Komron Zukhurov, 24- vjeç i cili kishte mbërritur nga aeroporti i Rinasit në Shqipëri dy muaj e gjysmë më parë. Burime për Report Tv bëjnë  me dije se ai është kushëri i bashkëjetueses së ish- deputetit të PD-së, Asllan Dogjani. Ky i fundit është edhe avokati i tij mbrojtës, ku pyetur nga Report Tv Dogjani është shprehur shkurt duke thënë "Jam avokati i tij, do të flas nesër".

Arrestimi i 24-vjeçarit është bërë mbrëmjen e djeshme në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'. Sipas gazetarit të Report TV Arsen Rusta ai ishte futur në Shqipëri me datën 17 shkurt të këtij viti.

Zukhurov ishte shpallur në kërkim nga Interpol pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).  Zukhurov ka mundur që të vijë në Shqipëri në mënyrë legale dy muaj e gjysmë më parë, para se Gjermania ta shpallte atë në kërkim ndërkombëtar në Tiranë.

Prokurori i Përgjithshëm i Taxhikistanit ka akuzuar Komron Zukhurov si anëtar të artisë së Rilindjes Islamike të Taxhikistanit (IRPT), forcë politike në opozitë e konsideruar si organizatë terroriste edhe nga Bashkimi Europian. Anëtarë të tjerë të të njëjtës organizatë janë përjashtuar nga territori i BE me të njëjtën akuzë. Në datë 15 Prill datë kur Gjermania goditi celulën, autoritetet në Berlin theksonin se njëri nga anëtarët e grupit terrorist, Ravsan B. kishte pranuar një urdhër me vlerë 40,000 dollarë për një sulm në Shqipëri. Por, thanë më tej autoritetet gjermane, terroristët nuk ishin në gjendje të kryenin vrasjen në Shqipëri (lexo ketu).

Deklarata e plotë e policisë
"Finalizohet me sukses operacioni “Vizitori". Operacioni, nga Drejtoria e Antiterrorit, në bashkëpunim me Interpol Tirana. Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, një shtetas nga Taxhikistani. 24-vjeçari, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i kërkuar në Gjermani.

Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin  e koduar “Vizitori”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç, nga Taxhikistani. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).

Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj", njofton policia.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:53
Zbulohet lidhja e taxhikistanezit me Shqipërinë, 24-vjeçari i afërm i bashkëjetueses së ish-deputetit të PD-së

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me Komron Zukhurov, terroristin e arrestuar një natë më parë në Tiranë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ai është i afërm i bashkëjetueses së ish- deputetit të PD-së, së fundmi Asllan Dogjani. Report Tv kontaktoi me ish- deputetin Dogjani i cili u shpreh "Jam avokati i tij, do të flasë". Ditën që ka ardhur në Shqipëri, është marrë në Rinas nga bashkëjetuesja e ish- deputetit.

Ora 12:22
Report Tv siguron foto, kush është terroristi nga Taxhikistani që u arrestua në Shqipëri

Report Tv ka siguruar foton e 24-vjeçarit, Komron Zukhurov, i arrestuar mbrëmjen e djeshme si pjesë e ISIS. Ndaj tij ishte lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për veprën penale "Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).