TIRANË- Demokratët vijojnë të besojnë se deklaratat e Ramës për programin e tyre politik, janë shenjë frike. I besuari i Bashës për të drejtuar fushatën në degët 1, 12 dhe 14 të Tiranës, Aldo Bumçi në një intervistë për Report Tv, pranon se demokratët janë frymëzuar nga qeverisja e 2005-2013 për programin.

“Fakti që vetë Kryeministri po meret me programin e PD do të thotë që është i kompleksuar. Një njeri që nuk ka program po fol vetëm për tepsi, ndihet keq kur një forcë politike vjen me një program serioz. Por pse qenka i parealizuar programi ynë për një fasho mbrojtëse për energjinë,  kur deri në 2013, deri në 300 kë, energjia subvencionohej nga shteti? Taksa e sheshtë nuk është eksperiment po ashtu. Një pjesë e programit tonë, jo i gjithi është propozim i një pjesë të masave të suksesshme të viteve 2005-2013", tha Bumçi.

Bumçi sqaroi 3 kategoritë për të cilat selia blu është angazhuar për t'i ardhur në ndihmë menjëherë pas 25 prillit.

 “Krijimi i një fryme pro biznesit, pro sipërmarrjes së lirë, e cila është goditur rëndë në këto 8 vite nga qeverisja e paaftë, Krijimi i mundësive për të rinjtë deri kur të bëhen me fëmijë dhe pensionistët”, shtoi ai.

Pavarësisht se të gjitha forcat politike po i shkelin masat e pandemisë, Bumçi thotë se përparësi është largimi i Ramës.

“Partia Demokratike është e vetmja forcë e përgjegjshme, jemi përballë një sjelljeje të papërgjegjshme deri kriminale të qeverisë, dhe një forcë politike që ka një program, kjo që thoni ju, patjetër që çdo njeri duhet të jetë më i kujdesshëm, por rrëzimi i qeverisë është përparësia e përparësive, përndryshe e keqja do të vijojë", tha ai.

Si një prej 8 udhëheqësve të fushatës në Qarkun më të madh të vendit, Bumçi tregon pritshmëritë për rezultatin në Tiranë ku tha se Partia Demokratike synon të paktën marrjen e gjysmës së mandateve, 18.