26 vite nga Masakra e Reçakut, presidenti Begaj: Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës që qëndruan për lirinë e saj

26 vite nga Masakra e Reçakut, presidenti Begaj: Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës që qëndruan për lirinë e saj

Përkujtim për Masakrën e Reçakut

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi sot ngjarjen e 26 viteve më parë të ndodhur në Reçak të Kosovës, ku forcat serbe sulmuan popullatën e pafajshme civile shqiptare, duke vrarë dhe masakruar 45 prej tyre.

Në këtë përvjetor të masakrës së Reçakut, President Begaj nderoi viktimat dhe të gjithë shqiptarët që i rezistuan gjenocidit serb për lirinë e Kosovës.

Kreu i Shtetit njëkohësisht shprehu mirënjohje ndaj Ambasadorit amerikan William G. Walker, shef i atëhershëm i verifikuesve të OSBE-së, i cili nga Reçaku i bëri të ditur botës krimin kundër njerëzimit në Kosovë.

“Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj”, - shkruan Presidenti i Republikës Bajram Begaj në mesazhin e tij të shoqëruar me fotot e disa mediave të kohës, të cilat ndërkombëtarizuan faktet e gjenocidit serb në Kosovë. 

“Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak të Kosovës, u ekzekutuan dhe masakruan barbarisht nga njësitë kriminale serbe 45 shqiptarë civilë të paarmatosur.

Denoncimi i kësaj masakre ndryshoi historinë e Kosovës dhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj saj.

Lavdi përjetë burrave dhe grave të Kosovës, që qëndruan për lirinë e saj!

Mirënjohje Ambasadorit amerikan William G. Walker, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit!”, - shkruan Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Balla kujton masakrën e Reçakut: Akt barbar që ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës

1736092433_taulantballa.JPG

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, përkujtoi sot viktimat e masakrës së Reçakut në Kosovë. Mëngjesin e 26 viteve më parë, më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë civilë të pafajshëm, jo vetëm burra, por edhe fëmijë, gra dhe të moshuar që kishin mbetur në fshatin Reçak të Shtimes, rreth 30 kilometra larg Prishtinës.

Thirrjet e tyre dëgjoheshin deri në fshatrat fqinjë.

“Forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo ngjarje ishte cilësuar si masakër edhe nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ky akt barbar që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës,” shkruan Balla.

Ishte pikërisht masakra e Reçakut, dhe denoncimi nga diplomati amerikan William Walker, që shkoi vetë në vendngjarje një ditë më pas, që u ra kambanave të alarmit dhe i tregoi botës mizoritë serbe që po kryheshin në Kosovë, duke i hapur kështu rrugë fushatës së bombardimeve të NATO-s.

“Kjo është dita më e trishtuar në jetën time” tha atëherë ambasadori i OSBE-së, Walker, duke e vizituar vendin e masakrës ndërsa trupat e pajetë ishin ende atje, ngjarje të cilën e përcaktoi menjëherë si “krim kundër njerëzimit.”

Ora 11:39
Basha përkujton Masakrën e Reçakut: Simbol i sakrificës për liri dhe thirrje për drejtësi

1736937633_basharecaku.jpg

Lulzim Basha, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë të pafajshëm. Në një postim në facebook, Basha e cilësoi këtë tragjedi si një moment vendimtar në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe një thirrje për ndërgjegjen ndërkombëtare kundër spastrimit etnik dhe gjenocidit të regjimit të Millosheviçit.

Basha thekson rëndësinë e drejtësisë për të shëruar plagët e së kaluarës dhe vlerësoi rolin e Ambasadorit William G. Walker, i cili me veprimet dhe librin e tij e bëri të pamundur që krimet e kryera në Kosovë të harrohen.

“I paharruar kujtimi i martirëve të Reçakut,” përfundoi Basha, duke nënvizuar se Reçaku mbetet një simbol i sakrificës dhe i përkushtimit për liri dhe dinjitet.

Postimi i plotë i Bashës:

Masakra e Reçakut 26 vite më parë, ku u martirizuan 45 burra, gra dhe të fëmijë të pafajshëm, mbetet një nga episodet më tronditëse dhe vendimtare në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë. Kjo tragjedi zgjoi ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke i hapur sytë për spastrimin etnik dhe aktet gjenocidale që regjimi i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë civile shqiptare.

Sot, Reçaku është dhe do të mbetet simboli i sakrificës së jashtëzakonshme të një populli që luftoi për dinjitet dhe vetëvendosje, si dhe një dëshmi e nevojës së vazhdueshme për drejtësi dhe ballafaqim me të vërtetën.

Drejtësia për Reçakun, ashtu si edhe për të gjitha krimet mizore kundër popullsisë civile në Kosovë, është thelbësore për të shëruar plagët e së shkuarës, që vijojnë të sëmbojnë për shkak të mohimit të tyre.

Mirënjohje e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Ambasadorit William G. Walker, i cili, si Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, i tregoi botës mbarë, se ajo që po ndodhte nën regjimin e Millosheviçit në Kosovë ishte spastrim etnik, ndërsa me librin e tij “Reçak: Historia e një krimi lufte”, ia dorëzoi historisë aktet barbare ndaj civilëve shqiptarë, duke e bërë të pamundur që ato të harrohen dhe përsëriten.

I paharruar kujtimi i martirëve të Reçakut!

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ U kapën me kokainë në automjet gati për shitje, arrestohen dy persona! 35-vjeçari kishte thyer masën e arrestit shtëpiak (EMRAT)

Tiranë/ U kapën me kokainë në automjet gati për shitje, arrestohen dy persona! 35-vjeçari kishte thyer masën e arrestit shtëpiak (EMRAT)