Në 27-vjetorin e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, Hysni Gucati i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report TV, ktheu në vëmendje jo vetëm dramën e asaj kohe, por edhe çështjet që, sipas tij, ende mbeten pa zgjidhje.
Duke folur për atë periudhë të errët, Gucati u ndal te ofensiva serbe dhe plani për spastrimin e shqiptarëve nga Kosova, ndërsa theksoi se qytetarët e Kosovës janë falënderues ndaj shqiptarëve që “hapën dyert dhe zemrat” për t’i strehuar.
“Serbia mori një ofensivë për spastrimin e Kosovës. Unë kisha familjen në Kukës asokohe. Për ne kjo datë dhe ky muaj është I veçantë, sepse kemi në kujtesë planin e Serbisë të quajtur ‘Patkoi’ për spastrimin e Kosovës nga shqiptarët. Qytetarët e Kosovës janë falenderues për të gjithë vellezërit shqiptarë që hapën dyert e zemrat dhe strehuan shqiptarët e Kosovës në shtëpitë e tyre” tha Gucati.
Ai e vuri theksin edhe te mirënjohja ndaj Shqipërisë, duke thënë se ajo që bënë qytetarët në Kukës, Bajram Curri dhe zona të tjera nuk do të harrohet kurrë.
“Në emrin tim dhe të organizatës do jemi mirënjohës përjetë e mot për atë që bëri Shqipëria, Kukësi, Bajram Curri e të gjithë ata që strehuan familjet tona” tha ai.
Në të njëjtën kohë, Gucati solli në vëmendje edhe bilancin e rëndë të luftës, me mijëra viktima dhe persona të zhdukur, për të cilët, sipas tij, ende nuk ka drejtësi.
Në deklaratat e tij, ai ngriti shqetësimin se në Serbi nuk është dënuar askush për krime lufte dhe se mungon bashkëpunimi për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, pasi arkivat nuk hapen.
“Në Serbi nuk është dënuar askush për krime lufte. Në Kosovë kanë ndodhur mbi 460 masakra, janë mbi 13.500 qytetarë të vrarë, 1624 fëmijë të vrarë, 1600 persona të tjerë janë të zhdukur dhe Serbia nuk i hap arkivat që të gjejmë varret e tyre” tha Gucati.
Kritika ai pati edhe për ndërkombëtarët, duke u shprehur se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndëshkuar autorët e krimeve në Kosovë. Madje, sipas tij, vëmendja është përqendruar më shumë te ish-pjesëtarët e UÇK-së sesa te ata që kanë kryer krime.
“ Ndërkombëtarët nuk kanë punuar mjaftueshëm për të dënuar njerëzit që kanë bërë krime në Kosovë. Më shumë janë marrë me UCK se me serbët që kanë kryer krime. Ne deri më sot jemi të zhgënjyer nga drejtësia në Hagë. Ishalla nuk don zoti që politika është përzier në Gjykatën Speciale. UCK nuk ka qenë organizatë kriminale por çlirimtare” tha ai.
Gucati u ndal edhe te Gjykata Speciale në Hagë , për të cilën tha se ka sjellë zhgënjim, duke theksuar se shpreson që të mos ketë ndikim politik në vendimet e saj. Ai shtoi se UÇK-ja nuk ka qenë organizatë kriminale, por çlirimtare.
Në fund, ai shprehu pritshmëri për zhvillimet e ardhshme, duke shpresuar që drejtuesit e ish-UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçi, të lirohen dhe të kthehen në shtëpi, ndërsa theksoi se nuk duhet të ketë drejtësi selektive.
“Unë shpresoj që më 19 maj do të marrim një lajm të mimrë që krerët e UCK, Hashim Thaçi e të tjerët të vijnë në shtëpi. Ata duhet të lirohen. S’duhet të ketë drejtësi selective. Kjo gjykatë po merret vetëm me shqiptarët” tha ai.
Komente








