27 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës, Shqipëria përkujton 8 mijë viktimat e masakrës! Kurti: Serbia e mohon me paturpësi! PS: Gjenocidi duhet të shërbente si këmbanë alarmi

Sot shënohen 27 vjet nga masakra e Srebrenicës. Mijëra njerëz pritet që të marrin pjesë në ceremonitë përkujtimore që do të mbahen sot. Ndërkohë, eshtrat e 50 viktimave të masakrës së Srebrenicës, të gjetura kohët e fundit, do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari - aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë dhe kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë. Vrasjet kanë ndodhur brenda pak ditësh, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë edhe sot.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid. Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.

Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”. Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg. Ligji ka shkaktuar zemërim te serbët e Bosnjës, që udhëhiqen nga Millorad Dodik, njëherësh anëtar i Presidencës trepalëshe të këtij vendi.

Dodik ka nisur procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri. Në prag të shënimit të 27-vjetorit të masakrës së Srebrenicës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë dhënë një deklaratë të përbashkët, duke thënë se në Srebrenicë, “Evropa ka dështuar”.

“Është më shumë se kurrë detyra jonë që të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës... të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale”, kanë thënë ata.

“Ende sot, ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, kanë thënë Borrell dhe Varhelyi, duke përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë, sjellin kujtime të gjalla të atyre që kanë ndodhur në luftërat e Ballkanit Perëndimor në vitet 1990”, kanë thënë dy diplomatët e lartë evropianë.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës duke thënë se ajo që ka ndodhur 27 vjet më parë nuk është asgjë më pak pos gjenocid pasi forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra myslimanë në Bosnje.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës duke thënë se historitë tragjike që ndodhën në zemër të Europës duhet të shërbenin si këmbanë alarmi. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Balla shkruan se fatkeqësisht, gjenocidi i Srebrenicës u shoqërua me atë që u shtri në Kosovë dhe së fundmi ndodhet në Ukrainë, ku forcat ruse po kryejnë krime të rënda dhe po shkaktojnë tmerre lufte.

Kujtojmë që pak ditë më par Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën për genocidin Serb në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinë, e cila iu referohet 3 rezolutave të miratuara nga Parlamenti Europian në vitet 2005, 2009 dhe 2015. Rezoluta është miratuar me 113 vota pro, (nga 113 të pranishëm në total). Pro rezolutës kanë votuar edhe deputetë të opozitës.

Rezoluta dënon pandëshkueshmërinë ndaj krimeve të luftës, që shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre.Që prej miratimit të rezolutës në Kuvend 11 korriku është edhe në Shqipëri Dita e Përkujtimit dhe nderimit të viktimave të gjenocidit Serb në Srebrenicë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:13
27 vjet nga masakra e Srebrenicës, Abazoviç kërkon falje: E shpreha mendimin në mënyrë të paqartë! Gjenocidi të mos përsëritet

1657556183_abazovic.jpg

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic ka kërkuar falje për deklaratën që lidhej me përkujtimin e 27 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

 “U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, shkroi ai në Telegram.

Kjo erdhi pasi pati reagime të ashpra nga shoqata të ndryshme dhe përfaqësues të partive politike në Malin e Zi për Abazovic, i cili përkujtoi 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës duke shkruajtur:  

 “Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, tha Abazoviq, në përkujtim të 27-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Më herët, shoqata “Nënat e Srebrenicës” tha se Abazoviq duhet t’iu kërkojë falje të gjithë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

“Fëmijët tanë u vranë vetëm sepse ishin boshnjakë, ata u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizim të krimit”, shkroi shoqata në Twitter.

Ndërsa deputetja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviq-Stankoviq shkroi: “Kryeministri i Malit të Zi po e relativizon gjenocidin në Srebrenicë? Turp për ty Dritan”.

Ora 17:24
27 vjet nga masakra e Srebrenicës, PS: Gjenocidi duhet të shërbente si këmbanë alarmi! Fatkeqësisht u shtri në Kosovë dhe u ringjall në Ukrainë

1657553116_balla.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës duke thënë se historitë tragjike që ndodhën në zemër të Europës duhet të shërbenin si këmbanë alarmi. 

Balla thotë se fatkeqësisht, gjenocidi i Srebrenicës u shoqërua me atë që u shtri në Kosovë dhe së fundmi ndodhet në Ukrainë, ku forcat ruse po kryejnë krime të rënda dhe po shkaktojnë tmerre lufte. Balla shkruan se shprehin përkrahjen e plotë dhe solidaritetin e sinqertë, siç e ka dhe zakoni i shqiptarit, për tërë të lënduarit, të mbijetuarit gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë - Hercegovinë.

"11 KORRIK - Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë

“Mijëra burra të ekzekutuar dhe të varrosur në varreza masive, qindra burra të varrosur për së gjalli, e po aq qindra të gjymtuar e therur, fëmijë të vrarë para syve të nënave të tyre, një gjysh i detyruar të hante mëlçinë e nipit të tij. Këto janë vërtet skena nga ferri, të shkruara në faqet më të errëta të historisë njerëzore”, do të deklaronte Gjykatësi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Fouad Riad, ndërsa ngrinte aktakuzën penale të Srebrenicës kundër Ratko Mladic dhe liderit serb të Bosnjës gjatë luftës Radovan Karadzic, më 16 nëntor 1995.

Më 11 korrik 1995, qyteti boshnjak i Srebrenicës, i cili kohë më parë ishte shpallur një zonë e sigurt me Rezolutën 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u kap nga forcat serbe të Bosnjës.

Prej atij momenti për disa ditë me radhë, më shumë se 8000 burra dhe djem myslimanë, të cilët kishin kërkuar siguri në këtë zonë nën mbrojtjen e Forcave Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR), u ekzekutuan barbarisht nga forcat serbe të Bosnjës të komanduara nga gjenerali Mlladiç dhe nga njësitë paraushtarake që vepronin nën autoritetin e Presidentit të atëhershëm të Republikës Srpska, Radovan Karaxhiç.

Rreth 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dhunuan dhe u dëbuan me forcë në një fushatë masive të spastrimit etnik. Në vitin 1999 Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në raportin e tij për rënien e Srebrenicës do të deklaronte se OKB-ja dështoi në zbatimin e mandatit të saj, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të ashtuquajturave 'zona të sigurta', dhe kështu ndan përgjegjësinë. Histori tragjike por dhe e turpshme e kohëve moderne mu në zemër të Europës së vlerave të larta njerzore e parimeve demokratike, e cila duhet të shërbente si një këmbanë alarmi ndaj rreziqeve të formave ekstreme të nacionalizmit dhe intolerancës, dhunës dhe tmerreve të luftës që shkaktojnë ato.

Por, fatkeqësisht, gjenocidi i Srebrenicës rezultoi të ishte vetëm uvertura e një genocidi edhe më të gjerë, i cili u shtri pak më pas edhe në Kosovë. Fatkeqësisht gjenocidi u ringjall së fundmi edhe në Ukrahinë, ku forcat pushtuese ruse kanë kryer dhe po kryejnë krime tepër të rënda kundër civilëve të pambrojtur ukrahinas.

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Sot perkujtojme dhe nderojme viktimat genocidit në Srebenicë, duke shprehur më së pari dhimbjen e thellë për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga genocidi serb si dhe përkrahjen e plotë dhe solidaritetin e sinqertë, siç e ka dhe zakoni i shqipatarit, për tërë të lënduarit, të mbijetuarit gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë - Hercegovinë", shkruan Balla.

Ora 17:19
Masakra e Srebrenicës, Meta: Dënimi i këtij gjenocidi garanton sigurinë dhe stabilitetin në rajon

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar viktimat e Srebrenicës, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në një postim në rrjetet sociale, Meta thotë se dënimi i çdo përpjekjeje për mohimin e këtij gjenocidi, përgjegjësve dhe frymëzuesve të kësaj masakre është e vetmja rrugë që garanton forcimin e bashkëpunimit rajonal, bashkëjetesës etnike dhe fetare, konsolidon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, për të ecur përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian.

'Me pikëllim të thellë nderojmë sot kujtimin e viktimave të pafajshme të Srebrenicës, masakrës më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore, që ndodhi 27 vite më parë, në zemër të Europës. Dënimi i çdo përpjekjeje për mohimin e këtij gjenocidi, përgjegjësve dhe frymëzuesve të kësaj masakre është e vetmja rrugë që garanton forcimin e bashkëpunimit rajonal, bashkëjetesës etnike dhe fetare, konsolidon paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, për të ecur përpara drejt së ardhmes të përbashkët në Bashkimin Europian. Fryma e urrejtjes, përçarjes, ndasive dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk duhet të gjejë më vend në shoqëritë tona, por duhet të marrë një dënim të merituar për të mos lejuar më të tilla masakra të përsëriten në të ardhmen!'- shkruan Meta.

Ora 15:55
27 vjet nga masakra e Srebrenicës, Berisha: Dënoj forcat që kryen barbarinë dhe qëndrimin e Vuçiç, frymëzuesin e genocidit

1657547825_2918956626052910342853362195914993204174387n.jpg

Sali Berisha ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës duke thënë se dënon aktin e forcave që kryen barbarinë. Nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se dënon edhe qëndrimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiç pasi e konsideron si frymëzues të genocidit të Srebrenicës.

"Sot dita e nderimit të viktimave të Srebrenicës! Të dashur miq, sot është dita e nderimit të viktimave të barbarive, genocidit serb në Srebrenicë. 27 vite më parë, forcat ushtarake dhe milicia e serbëve të Bosnjës së bashku me njësi paramilitare dhe policore të ardhura nga Serbia, nën komandën e gjeneralit famzi Ratko Mlladiç, vranë, masakruan, në genocidin më të tmerrshëm të Pasluftes së Dytë Botërore në Europë, 8 mijë femijë, gra, burra, muslimanë bosnjakë vetëm e vetëm se i perkisnin etnisë dhe besimit fetar tjetër.

Duke shprehur nderimin më të thellë për viktimat e genocidit serb në Srebrenicë, denoj me forcë aktin makabër të forcave që kryen këtë barbari të tmerrshme. Dënoj gjithashtu edhe qëndrimin aktual të Presidentit të Serbisë Vuçiç, i cili me thirrjen e tij “për çdo serb të vrarë të vriten 100 muslimanë” është dhe një frymëzues kryesor i genocidit të Srebrenicës, vendi i të cilit është në bankën e akuzës në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës", shkruan Berisha.

Ora 14:47
27 vjet nga masakra e Srebrenicës, Osmani: Duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve që mohojnë këto mizori

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës. Nëpërmjet një postimi në Twitter, Osmani thotë se të gjithë duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të lavdëruar ose mohuar këto mizori.

“27 vjet pas gjenocidit të Srebrenicës, ne kujtojmë 8,372 djemtë dhe burrat boshnjak të vrarë pa mëshirë nga forcat serbe. Sot, zemrat tona janë me të dashurit e tyre. Ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar kundër përpjekjeve për të lavdëruar ose mohuar këto mizori të tmerrshme.”, shkruan presidentja Osmani në “Twitter”.

Ora 14:26
27 vjet nga masakra e Srebrenicës, Basha: Pa u dënuar të gjithë kriminelët nuk mund të ketë drejtësi

Deputeti i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës, Basha thotë se pa dënuar të gjithë kriminelët  që vranë e masakruan civilë të pafajshëm në Bosnjë dhe Kosovë, nuk mund të ketë drejtësi.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha tha se të mohosh genocidin në Bosnjë dhe në Kosovë tregon se nuk je ndarë nga e kaluara, por i përket asaj, nuk kërkon bashkëjetesë por vazhdimin e konfliktit të ngrirë, duke mbrojtur të shkuarën e përgjakshme, mbetesh peng i saj dhe nuk sheh dot drejt së ardhmes.

"Pa dënuar të gjithë kriminelët që vranë e masakruan civilë të pafajshëm në Bosnjë dhe Kosovë, nuk mund të ketë drejtësi. Sot ndajmë dhimbjen me gratë, nënat boshnjake që humbën më të dashurit e tyre në masakrën më mizore që ka njohur Europa pas Luftës II Botërore. Shovinizmi serb vrau dhe masakroi mbi 8 mijë burra dhe djem. Por ato mbijetuan, mbi dhimbjen, ndërtuan të ardhmen, rritën fëmijët e tyre dhe sot i dëshmojnë botës modelin e jashtëzakonshëm të forcës, tolerancës e mirëkuptimit të një gruaje. Zhvillimet e fundit në rajonin tonë dëshmojnë se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten. Të mohosh genocidin në Bosnjë dhe në Kosovë tregon se nuk je ndarë nga e kaluara, por i përket asaj, nuk kërkon bashkëjetesë por vazhdimin e konfliktit të ngrirë, duke mbrojtur të shkuarën e përgjakshme, mbetesh peng i saj dhe nuk sheh dot drejt së ardhmes. Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit tonë mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme. E ndërsa Shqipëria u rreshtua krah vendeve që dënuan genocidin në Bosnjë, sot është koha të gjejmë forcën, guximin dhe pavarësinë për të miratuar edhe rezolutën për genocidin serb në Kosovë. Sot është koha për të parë të vërtetën në sy, jo për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes.", shkruan Basha në "Facebook".

 

Ora 12:38
27 vjet pas gjenocidit, varrosen 50 viktima të Srebrenicës

Eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të identifikuara së fundmi, janë varrosur ditën e sotme në Qendrën Përkujtimore Potoçari, aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera. Varrimi i tyre ka ndodhur  27 vjet pas gjenocidit.

Ora 10:08
27 vjet nga masakra e Srebrenicës, Kurti: Serbia mohon me paturpësi gjenocidin

Kryeministri i Kosovë Albin Kurti ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës. Kurti thotë se ajo që ka ndodhur 27 vjet më parë nuk është asgjë më pak pos gjenocid.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kryeministri kosovar ka përkujtuar 11 korrikun e vitit 1995, ku forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra myslimanë në Bosnje.

"27 vite dhimbje e mall nga gjenocidi i Srebrenicës. Kur Raphael Lemkin në librin e tij "Axis Rule in Oçupied Europe" kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit. Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit. Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t'u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë. Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar. E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre. Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara. Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia. Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi. Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit. Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.", shkruan Kurti në Facebook.

 

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 11/07/2022 20:44

    Kryeministri malazez ka shumë arsye për t'i kthyer borxhet presidentit të Serbisë, pohon gazetari Predrag Popoviq. Vëllai i Dritan Abazovicit dhe partnerja e kryeministeshes serbe po hapin një klinikë në ndërtesën e ish-BIGZ në Beograd. Ky Dritani është vetëm shqipfolës me kokën e tij në Serbi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia

Analiza e VOA: Demokracia në provë në Evropën Lindore mes akuzave për ndërhyrje nga Rusia