Kryeministri Edi Rama ka nisur ditën e sotme me një urim të veçantë për qytetarët, të publikuar në profilin e tij zyrtar në Facebook.

Kreu i qeverisë ka ndarë një video nga Ura e MesitShkodër, një nga monumentet më të njohura historike të vendit, duke përcjellë një mesazh festiv nga nxënësit e shkollës ‘Ismet Çela’ në Dragoç.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër përshëndetje feste nga Ura e Mesit në Shkodër, ju uroj një të diel të bukur”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.

E ndërtuar në vitin 1768, Ura e Mesit është një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.