Në vitin 2022 do të nisë zbatimin projekti për digjitalizimin e arkivës së Kadastrës, ku në sistemin elektronik do të jenë të gjitha dosjet e pasurive të paluajtshme të qytetarëve.
“Projekti do të përfshijë: Skanimin e dokumentacionit të referencave, pra rreth 56 milion dokumente. Skanimin dhe digjitalizimin e kartelave të pasurisë për rreth 3,3 milion kartela pasurie”, - tha Lame.
Drejtori Kadastrës, Artan Lame tha se aktualisht janë të digjitalizuara vetëm 700 mijë pasuri, ndërkohë që vuri theksin tek mungesa e referencave të pronave.
“Çdo pasuri ka një referencë dosjen e vetë historike, duhet të kishim të paktën 4 milionë referenca, por në fakt Kadastra trashëgon vetëm 2.8 milionë referenca që është absurde, kjo ka ndodhur për shkak se nga 1996 kur ka filluar regjistrimi fillestar deri në 2010 regjistrimet që janë bërë kanë qenë deficitare. Në fshat nuk janë hapur fare referenca për pasuritë, por duke hapur për gjithë fshatin 1 referencë. Nga 2,8 milionë referenca vetëm 700,000 pasuri kanë dosjen e plotë të regjistruara pas vitit 2014, ndërsa për pasuritë e tjera është bërë vetëm skanimi i dosjeve”, tha Lame.
Ndërkohë drejtoresha e AKSHI-t, u shpreh se 95% e shërbimeve sot janë online dhe për dy vite mbyllet gangrena e digjitalizimit të kadastrës. Aktualisht sot në e-albania ofrohen 74 shërbime të kadastrës.
“Brenda pak ditëve certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë jepen me vulë digjitale për 1.7 milionë pasuri që kanë digjitalizim të pjesshëm apo të plotë. Deri sot 515 mijë aplikime online nga qytetarët për shërbimet e kadastrës, koha që ju është kursyer është 88 vite”, pohoi drejtorja e AKSHI-t.
Ndërsa për zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj digjitalizimi do të rrisë transparencën.
“Kjo që po bëjmë sot nuk është thjesht digjitalizim por është çlirim i qytetarit. Në arkivat digjitale i ka të gjitha transparente dhe në sekondën që duhet dhe me një klik ti ke në dorë pronën”, tha Ahmetaj.
Faza e parë e projektit do të zbatohet fillimisht në Tiranë, Vorë, Kamëz, Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë. Ndërsa faza e dytë e digjitalizimit do të jetë në Elbasan, Korçë, Berat, Gjirokastër, Krujë, Pogradec, Dibër, Kukës, Kuçovë, Tepelenë.