Një 28-vjeçar me origjinë shqiptare është arrestuar në Itali pas një vjedhjeje në një lokal dhe një ndjekjeje të rrezikshme me policinë, e cila përfundoi me përplasje automjetesh, dy efektivë të plagosur dhe kapjen e të dyshuarit.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në Bolonja. Sipas autoriteteve italiane, i riu hyri në një lokal në rrugën Bentini me fytyrën e mbuluar dhe grabiti fillimisht arkën. Më pas përdori një mjet prerës për të hapur makinetat e bixhozit dhe për të marrë paratë që ndodheshin brenda tyre.

Megjithatë, lëvizjet e tij u ndoqën në kohë reale përmes kamerave të sigurisë nga një punonjës i një kompanie private ruajtjeje, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Sipas hetimeve, shqiptari nuk ishte i vetëm. Dyshohet se në vjedhje mori pjesë edhe një bashkëpunëtor, i cili arriti të largohej me vrap sapo mbërritën patrullat e policisë dhe ende nuk është identifikuar.

Pas grabitjes, 28-vjeçari u largua me një furgon që rezultoi i vjedhur. Por arratisja nuk zgjati shumë. Falë sinjalit GPS të vendosur në sendet e vjedhura, policia arriti të lokalizonte automjetin dhe të niste ndjekjen.

Momenti më dramatik ndodhi në rrugën Stendhal, ku i dyshuari refuzoi t’i bindet urdhrit për ndalim dhe nisi të lëvizte me shpejtësi të madhe, duke bërë manovra të rrezikshme dhe duke hyrë edhe në kahun e kundërt të qarkullimit.

Gjatë arratisjes ai përplasi një makinë policie, e cila humbi kontrollin, doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë. Dy efektivët që ndodheshin brenda mbetën të plagosur lehtë dhe morën ndihmë mjekësore. Sipas autoriteteve, ata do të rikuperohen brenda pak ditësh.

Pak më vonë edhe furgoni i drejtuar nga shqiptari doli nga rruga dhe u përplas me murin e një kompanie private. Edhe pas aksidentit ai tentoi të arratisej në këmbë, duke kapërcyer murin dhe duke u fshehur mes automjeteve të parkuara në oborrin e biznesit, por u kap nga policia pas disa minutash.

Gjatë kontrollit të furgonit, efektivët gjetën pajisjen prerëse të përdorur për hapjen e makinetave të bixhozit,  mjete të tjera për thyerje, arkën e lokalit me 75 euro brenda, si dhe një aparat për ndërrimin e monedhave.

Autoritetet italiane bëjnë të ditur se 28-vjeçari ka precedentë penalë për vepra kundër pasurisë. Ai është arrestuar për vjedhje të rënduar, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe dëmtim prone, ndërsa ndodhet në burg në pritje të vendimit të gjykatës