Italia ka miratuar një ligj të ri për arsimin, që ndalon mbajtjen e burkës dhe nikabit në shkolla dhe kufizon numrin e nxënësve me origjinë të huaj që nuk zotërojnë mirë gjuhën italiane. Ligji, i propozuar nga qeveria e Giorgia Melonit, është kundërshtuar ashpër nga opozita, e cila i cilëson masat diskriminuese.
Dhoma e Deputetëve i dha të enjten miratimin përfundimtar ligjit me 142 vota pro, 112 kundër dhe katër abstenime, pasi Senati e kishte miratuar më 20 nëntor.
Sipas ligjit të ri, nxënësit me origjinë të huaj që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të italishtes nuk mund të përbëjnë më shumë se 30% të nxënësve në klasat e para. Kufizimi nuk zbatohet për ata që e zotërojnë gjuhën në nivelin e kërkuar. Ligji parashikon gjithashtu kurse të gjuhës italiane për prindërit e huaj.
Gjatë votimit, deputetët e opozitës ngritën në sallën e parlamentit pankarta me mbishkrimin “Në shkollë askush nuk është i huaj”.
Partitë opozitare akuzuan qeverinë se po shpërfill problemet reale të sistemit arsimor italian.
“Problemi nuk është se sa fëmijë të huaj ka në një klasë, por sa mësues dhe çfarë mjetesh vëmë në dispozicion për t’i garantuar secilit të drejtën për të mësuar. Gjithçka tjetër është diskriminim dhe racizëm”, deklaroi deputeti i Lëvizjes Pesë Yjet, Antonio Caso.
Ai kritikoi qeverinë se ligji nuk trajton asnjë nga problemet urgjente të arsimit, nga siguria e ndërtesave shkollore te pagat e ulëta të mësuesve dhe e drejta për të studiuar.
Edhe Irene Manzi, përgjegjëse për arsimin në Partinë Demokratike, kundërshtoi kufizimin e numrit të nxënësve me origjinë të huaj.
“Një dekret që ndan vajzat dhe djemtë në klasa dhe i zhvendos nga një shkollë në tjetrën nëse tejkalohet kufiri prej 30%, duke shpërfillur historitë e tyre, rrethanat në të cilat jetojnë dhe mjedisin ku rriten. I trajton si pako”, deklaroi Manzi.
Ajo kritikoi gjithashtu sanksionet ndaj prindërve, duke argumentuar se masat e reja cenojnë marrëdhënien e besimit mbi të cilën duhet të mbështetet komuniteti shkollor.
“Sikur familjet e huaja të kishin më pak të drejta. Ai që është miratuar është një dekret pa vizion”, shtoi ajo.
Nga ana tjetër, ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, shprehu kënaqësinë për miratimin e ligjit.
“Votimi i sotëm është gjithashtu një dëshmi domethënëse e unitetit të mazhorancës rreth qeverisë sonë dhe reformave të saj”, deklaroi ministri.
Pavarësisht polemikave për kufizimin e numrit të nxënësve të huaj, përplasja më e fortë mes mazhorancës dhe opozitës kishte të bënte me çmimin e teksteve shkollore dhe universitare në format dixhital, një çështje që shkaktoi mosmarrëveshje edhe brenda koalicionit qeverisës.
Shtëpitë botuese do të detyrohen t’i ofrojnë versionet dixhitale të teksteve me gjysmën e çmimit të librave të shtypur. Masa synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve.
Megjithatë, Shoqata Italiane e Botuesve (AIE) e ka kundërshtuar ashpër këtë dispozitë.
“Ne mbetemi fuqimisht kundër një mase që nuk sjell përfitime reale ekonomike për familjet dhe studentët, por ua ngarkon botuesve të teksteve shkollore dhe universitare barrën e një politike mbështetëse që duhet të jetë përgjegjësi e shtetit”, deklaroi presidenti i shoqatës, Innocenzo Cipolletta.
Sipas tij, masa cenon të drejtat e autorit, i hap rrugën piraterisë dhe rrezikon qëndrueshmërinë ekonomike të shtëpive botuese dhe vendet e punës.
Brenda koalicionit qeverisës, Forza Italia e kundërshtoi dispozitën për librat dixhitalë, ndërsa partia e Melonit, “Vëllezërit e Italisë” (Fratelli d’Italia), e mbështeti atë. Megjithatë, partitë e mazhorancës votuan të bashkuara për miratimin përfundimtar të ligjit.
Ligji sjell gjithashtu ndryshime në procedurat e punësimit të mësuesve, në programet e specializimit të mësuesve mbështetës për nxënësit me nevoja të veçanta, si dhe parashikon financime shtesë për personelin administrativ, teknik dhe ndihmës të shkollave.









Komente
Komento