Ka një datë të re për finalen e Champions League të këtij sezoni që është ndërprerë për shkak të COVID-19. UEFA ka rrethuar në kalendar datën 29 gusht si ditën kur do të zhvillohet finalja e madhe e kompeticionit prestigjoz,ndeshje kjo që do të luhet sipas parashikimeve në stadiumin Ataturk të Stambollit. Dëshira e të gjithëve është që kompeticionit t’i shkohet deri në fund por ende nuk është e përcaktuar qartë formula pra mënyra se si.Po punohet dhe disa opsione që janë në tavolinë kanë të bëjnë me ndeshje teke apo edhe një FINAL FOUR por e gjitha kjo do të varet nga ecuria e pandemisë së koronavirusit.
Ideja është ajo që Champions League të rikthehet të luhet në fund të muajit korrik ose në fillim të muajit gusht dhe më pas të arrihet që finalja të zhvillohet përpara shtatorit pra e shtuna e 29 gushtit do të ishte dita ideale. I njëjti diskutim vlen edhe për ecurinë e Europa League ndërsa vetëm pak ditë më parë u zbulua plani i UEFA-s që dy kompeticionet europiane të luheshin në gusht.Të enjten e ardhshme më 23 prill nëpërmjet një videokonference do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ku do të diskutohet dhe merren vendime.Ndërkaq është zbuluar edhe ideja tjetër e institucionit europian të futbollit që faza e grupeve e sezonit 2020-2021 e Champions të nis më 20 tetor pra një muaj më vonë nga zakonisht.
Përgatiti Andi Kapxhiu