Rreth 900 persona në të gjithë Shqipërinë, përdorues të lëndëve narkotike,  për tre ditë nuk kanë marrë metadonin, ilaçin që i ndihmon për të lënë drogën. Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur interesimit të Report Tv se shkak është bërë mungesa e këtij ilaçi, pasi kompania e prodhimit në Hungari nuk ka pasur gjendje në magazina. Në Sarandë, prej 7 ditësh rreth 120 ish përdorues të lëndëve narkotike thonë se mungesa e medikamentit po i sjell shqetësime deri në humbjen e vendit të punës pasi ilaçin e përdorin si qetësues për tu larguar nga lëndët narkotike.

“Problemi jonë është me ilaçet e metadonit.  Një javë, jo që përveçse sëmundjes se nuk lëvizim, kemi humbur punën, familjen, kemi dhe probleme me trupin tonë. Nuk lëvizim. Nuk rri dot. Nuk flas dot. Kam një javë pa ilaçe. Komunikoj me Ministrinë e Shëndetësisë, komunikoj me Aksion Plus, thonë nuk ka. Çfarë të bëjmë ne. Ti kthehemi prapë avazit të vjetër? Nuk na e ka njeri fajin. Të shkojmë në burgje. Ti dërgojnë sa më shpejt se është halli i madh. Të shkatërrojmë familjen? Ju lutem shumë, ju lutem shumë se është problem shumë i madh. Do dëgjoni në Sarandë shumë bëma. Të shkojmë të vjedhim dhe të pimë drogë prapë. Ajo na ngelet. Nuk më bën efekt asnjë lloj ilaçi. Ti kthehem heroinës. Ç’faj ke ti që të të vjedh unë. Jemi 100 çuna këtu. Kam humbur punë. Më hoqën nga puna dje se nuk vete dot. Jam i shkatërruar. Vetëm metadoni na bën efekt. I lutem Ministrisë së Shëndetësisë se do bëhen gjëra të pa para”, tregon një ish-përdorues droge.

Ata apelojnë ndaj ministrisë së Shëndetësisë marrjen e masave urgjente për furnizimin e qendrës së Sarandës me metadon pasi mungesa e metadonit do të përkeqësojë gjendjen e tyre deri në situata të pakontrollueshme, duke i kthyer në rrugën e përdorimit të lëndëve narkotike dhe vjedhjeve.

“Jam një përdorues i metadonit nga Saranda. Kemi një javë pa metadon. Nuk na e kanë sjellë. Jemi shumë të sëmurë. Ato duhet ti pimë përditë. Shpirti jonë e din se çfarë po heqim. Do bëjmë gjëra që nuk kanë ndodhur më parë në Sarandë. Mbaruan ilaçet dhe mbaruam dhe ne. I be të vjedhim dhe të pimë drogë. Na thonë jo do vijnë në fund të javës, jo javën tjetër. Na gënjejnë. Nuk e dimë kujt ti drejtohemi. Nuk e dimë si do të veje ky hall. Kam 5 vjet që pi metadon. 3 vjet kam qenë në Tiranë. Kam shumë vite që përdor metadon. Të lësh metadonin direk, edhe elefanti ngordh. Jo njeriu që nuk e lë dot”, tha një tjetër përdorues droge”, thonë ish përdoruesit e drogës.

Për të shmangur më tej këtë problematikë, qendra aksion Plus, përgjegjëse për shpërndarjen e ilaçit ka marrë një sasi metadoni urgjencë nga Maqedonia dhe sot ka nisur shpërndarja sipas tyre. Metadoni shpërndahet përmes fondit global për Aksion Plus, ndërsa prokurimi dhe transporti bëhet nga Ministria e Shëndetësisë. Në të gjithë Shqipërinë, ilaçi që ndihmon për të lënë drogën, shpërndahet nga Aksion Plus në  8 qendra si dhe në të gjitha burgjet e vendit dhe komisariatet e policisë. Qendrat e shpërndarjes ndodhen në Tiranë, Shkodër, Sarandë, Vlorë, Elbasan, Korçë, Fier dhe Berat.