TIRANË- 3 ditë para ndeshjes me Hungarinë, Kombëtarja Shqiptare është në stres, pasi një futbollist i tyre dhe fizioterapisti kanë rezultuar pozitiv me COVID. Bëhet fjalë për mbrojtësin Erjon Hoxhallari që vjen nga klubi i Tiranës, si edhe fizioterapistin, Arzen Voci dhe kjo ka shtuar frikën në radhën e futbollistëve, sepse të dy ishin grumbulluar me kuqezinjtë dhe kanë pasur kontakte edhe me futbollistë të tjerë.
“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije për mediat dhe opinionin publik se ditën e djeshme është larguar nga grumbullimi mbrojtësi Erjon Hoxhallari si edhe fizioterapisti i Kombëtares, Arzen Voci, të cilët pas testeve të kryera kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Hoxhallari dhe Voci janë larguar menjëherë nga hoteli ku gjenden të grumbulluar për t’u karantinuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Kësisoj, Hoxhallari nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet që cilësohen si vendimtare për Shqipërinë në ëndrrën për të prekur zonën e play-off-it, ku fillimisht do të luajnë më 9 tetor ndaj Hungarisë në transfertë, ndërsa tre ditë më vonë, më 12 tetor do të presin Poloninë në stadiumin “Air Albania”, njofton FSHF.
Pak javë më parë, Kombëtarja shqiptare është tronditur nga humbja e fizioterapistit Ylli Merja, i cili ndërroi jetë pasi ishte 2 javë i intubuar. Ylli Mihali, 55-vjeç ishte pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit prej 27 vitesh. Mihali ishte i vaksinuar me dy dozat e vaksinës 'Pfizer', ndërkohë që nuk dihet nëse ka pasur sëmundje të tjera.