VLORË-Një person është shpallur në kërkim nga policia e Vlorës pasi më datë 4 automjeti i tij tip ‘’Benz’’ është gjetur i braktisur ne breg të detit në rrugën e Plazhit të vjetër.

Shkak për këtë është bërë denoncimi i një vajze ditën e djeshme ne policinë e Vlorës pasi sipas saj tre djem kanë tentuar ta marrin me forcë në datën 04.01.2017 në lagjen ‘’24 maji ‘’dhe kanë tentuar të abuzojnë më 15-vjeçare.

Denoncimi është bërë më datë 12 .01.2017 në policinë e Vlorës ku vajza me incialet F.A banuese në Vlorë ka kallëzuar pranë Komisariatit të Vlorës se tre djem e kanë marrë atë me forcë më datën 4 janar në një automjet tip ‘’Benz’’ dhe kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me këtë të fundit.

Por sipas dëshmisë së saj dhënë në polici në prezencën e familjarëve të saj vajza është shprehur se ka arritur të largohet me vrap.

Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se vajza ka dhënë me detaje përshkrimin e automjetit tip ‘’Benz’’. Menjëherë policia e Vlorës është vënë në levizje pas kallëzimit të 15-vjeçares dhe sipas kallëzimit të saj dhe pas konfirmimit nga vajza rezulton se automjeti tip ‘’Benz’’ me targa KO 6890 BI i përket shtetasit me iniciale H.K banues në Vlorë.

Pas kallëzimit të 15-vjeçares me inciale F.A shtetasi me inciale H.K është shpallur në kërkim nga policia e Vlorës. Sipas burimeve nga grupi hetimor ai është shpallur në kërkim pasi rezulton pronar i automjetit por mbetet hetimeve të konfirmojnë rastin e denoncimit të vajzës.

Sipas grupit hetimor po hetohet pse vajza ka bërë kallëzimin pas tetë ditësh dhe nëse rasti në fjalë është i saktë apo diçka e ka shtyrë 15-vjeçaren për këtë kallëzim. Ndërkohë po sipas grupit hetimor pritet të merret edhe dëshmia e pronarit të automjetit nëse vazhdon të jetë ende pronar i këtij automjeti apo nëse e ka shitur makinën e tij.

Ndërkohë po të njejtat burime bëjnë me dije se është e veshtirë për t’u identifikuar pasi vajza ka dëshmuar se nuk njihte asnjë person në automjet.

Ajo ka arritur të përshkruajë disi tipare të djemëve por nuk jepen detaje për shkak të hetimeve. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë .

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com