Tre persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të ndryshme penale janë ekstraduar nga Danimarka, Franca dhe Italia drejt Shqipërisë. Dy prej tyre janë të dënuar, përkatësisht me 13 vjet dhe 8 muaj burgim, ndërsa tjetri i akuzuar për mashtrim.
Nga Danimarka u ekstradua Daniele Matoshi, alias Daniele Çela, alias Oklid Cela. Gjykata e Kristiansand, Norvegji e ka dënuar me 13 vite burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, si pjesë e një organizate kriminale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Në Shqipëri, Gjykata e Elbasanit, me vendimin e datës 18.07.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në emër të tij dhe të familjarëve kanë rezultuar pasuri të pajustifikuara, sipas hetimeve të autoriteteve norvegjeze dhe Prokurorisë Elbasan.
Nga Franca u ekstradua 25-vjeçari Christopher Rudoviç, i lindur në SHBA. Ai është dënuar me me 8 muaj burgim nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në muajin qershor 2024, në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrollit me skaner, në valixhen e tij janë gjetur 2 thika metalike.
Ndërsa nga Italia u ekstradua Gazmir Mjelli alias Gazmir Hamzaj.
Gjykata e Fierit i ka caktuar 39-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, më 13.07.2024.
Ai akuzohet se i ka marrë një shumë parash një qytetari duke e mashtruar se do ta ndihmonte për të shkuar në Itali, në mënyrë të paligjshme.
Vijon bashkëpunimi për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Komente







