30 ditë paraburgim për Ukë Rugovën
djalin e ish presidentit Rugova

30 ditë paraburgim për Ukë Rugovën<br />djalin e ish presidentit Rugova
PRISHTINË- Edhe tridhjetë ditë të tjera do të qëndrojë në burg djali i ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.
 
73 faqe pasaportash të fotokopjuara i janë gjetur Ukë Rugovës në shtëpinë e tij, në rezidencën e familjes Rugova. Në bastisjen që ka zgjatur më shumë se 12 orë janë gjetur edhe dokumente të tjera, që Prokuroria pretendon se ishin planifikuar të përdoreshin për sigurim të vizave në Ambasadën Italiane në mënyrë të kundërligjshme.

Prokurori Allen Cansick, e ka cilësuar deputetin Ukë Rugova si udhëheqës të përgjithshëm të grupit kriminal që merrej me falsifikim vizash. Për këtë, gjyqtarja Anna Adamska Galant ka vendosur tridhjetë ditë paraburgim. 
 
 Përveç djalit të ish presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, me masën e njëjtë janë ndëshkuar edhe Izet Beqiri dhe Florian Petani.
 
Për të arrestuarit e tjerë: Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Asad Beqiraj, Edison Idrizaj, Hamza Beqiri dhe Driton Voca është caktuar masa prej 30 ditësh në arrest shtëpiak.
Ndërkohë Qefser Baholli është liruar.
 
“Izet Beqiri vazhdon të ketë urdhër arrest valid ndërkombëtar për krim të organizuar dhe kontrabandë ndërkombëtare të drogës.  Më shumë se 10 orë kanë qëndruar Ukë Rugova dhe 9 personat tjerë brenda Gjykatës Themelore, në seancën për caktimin e paraburgimit ndaj tyre”, bën të ditur “Koha Ditore”.
 
“Këtu përfshihen 40 aplikacione të kompletuara për viza Shengen së bashku me fotografitë e aplikuesve, 73 faqe të pasaportave të fotokopjuara, 22 dëftesa vizash, 83 fotografi në madhësi dokumenti, 168 zarfe ku gjendeshin dokumente të policave të sigurimit dhe të tjera”, thuhet në kërkesën për paraburgim.
 
“Në shtëpinë e Ukë Rugovës është gjetur edhe një letër që i ishte adresuar Ambasadorit të mëparshëm Mikele Giffoni, në mbështetje të vizave”.
 
Prokurori ka shpjeguar se këto dhe të tjera prova tregojnë që Ukë Rugova, Izet, Visar, Fitim e Hamza Beqiri, Azad Beqiraj, Florian Petani, Qefser Baholli, Driton Voca dhe Edison Idrizaj, duhet të qëndrojnë në paraburgim sepse Prokuroria ende ka prova për të siguruar.
 
Prokurori pretendon se “punëtori italian i ambasadës ka rënë në lajthitje të grupit kriminal”, siç e quan ai. Megjithatë, italiani ka imunitet diplomatik dhe përmendet se ka bashkëpunuar me punëtorin vendës të ambasadës, Florian Petani, që ka shtetësi të trefshitë – kosovare, shqiptare dhe italiane. Edhe Izet Beqiri shihet si pjesë e rëndësishme e grupit, duke shtuar se për të shteti italian ka lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për krim të organizuar dhe kontrabandë ndërkombëtare të drogës.
 
Ky urdhër arrest vazhdon të jetë i vlefshëm që nga viti 2000.
 
Për vizat, që qytetarët i merrnin shpejt dhe pa procedurë, Prokuroria thotë se ata paguanin nga 2 mijë e 500 deri në 3 mijë e 500 euro. Në fund të seancës është dashur edhe ndërhyrja e ambulancës, sepse Izet Beqiri nuk është ndier në gjendje të mirë shëndetësore.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)

Zjarr pranë ish-repartit ushtarak në Fier, dëgjohen shpërthime fishekësh (VIDEO)