Më shumë se 30% e qytetarëve shqiptarë rezultojnë se po jetojnë në pasiguri për të garantuar ushqim. Rezultati është publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësisë, në raportin e hartuar për vitin 2022 për sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit në botë. Pavarësisht se ky nivel është në rënie me periudhën 2014-2016 kur përqindja e pasigurisë ishte 38.8%, përsëri niveli mbetet shqetësues, kur flitet që 7.7% e kësaj kategorie janë në pasiguri të rënduar ushqimore.

Nga vendet fqinje Shqipëria ka nivelin më të lartë të pasigurisë ushqimore, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 20.9%, Serbia me 14.1%, Mali i Zi me 14% dhe Bosnjë-Hercegovina me 12.6%.

Sipas konkluzioneve të raportit shkalla e pasigurisë është tregues që bazohet tek aksesi që kanë individët ose familjet në ushqim, për shkak të mungesës së parave apo burimeve të tjera. Gjetjet e këtij raporti janë të bazuara në bazë të anketimeve që organizata kryen.

Sigurimi i ushqimit bëhet edhe më i vështirë këtë vit, në kushtet kur çmimet e produkteve të shportës po rriten nga muaji në muaj si pasojë e luftës në Ukrainë, ndërkohë që niveli i pagave mbetet pothuajse i njëjtë. Pak ditë më parë FMN ngriti shqetësimin e inflacionit të lartë, i cili do të jetë më i ndjeshëm tek shtresat në nevojë, për këtë arsye kërkoi që edhe politikat mbështetëse të orientohen në këtë drejtim.

Të njëjtin shqetësim e ka ngritur më herët edhe Banka Botërore dhe Agjencia Ndërkombëtare Standard & Poor’s, të cilët vlerësojnë se inflacioni do të jetë në rekord që prej 1990-ës.

PASIGURIA USHQIMORE PËR 2022 (FAO)

Shqipëria                        30.9%

Maqedonia e Veriut        20.9%

Serbia                             14.1%

Mali i Zi                            14%

Bosnjë-Hercegovina       12.6%