Ambasadori gjerman, Peter Zingraf i ka bërë thirrje politikës që të vijojë me ecjen para dhe zbatimin e reformave kyçe për vendin në mënyrë që të ecet para me procesin e integrimit, pasi vetëm kështu sipas diplomatit gjerman njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi. Zingraf tha se koha deri në zgjedhjet e 25 prillit është e shkurtër dhe politika ka ende shumë punë për të bërë, ndërsa theksoi se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë me rëndësi për të ardhmen e vendit.
Zingraf shprehet se përmbushja e kushteve të integrimit është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre, ndërsa ka kërkuar sërish respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe të vijohet me frymën konstruktive.
Këto deklarata u bënë gjatë ceremonisë së 30 vjetorit të Bashkimit Gjerman, një ceremoni e kryer në mënyrë virtuale me një video mesazh, për shkak të pandemisë.
"Kushtet, që Këshilli i BE-së i ka vënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj, u përgatitën vitin që shkoi nga Bundestag-u Gjerman dhe u pranuan njëzëri në vend si ‚Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave: Përmbushja e kushteve është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre. Ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi. Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende", thotë ndër të tjera Zingraf.
Lulzim Basha e ka shënuar ribashkimin e Gjermanisë 30 vite më parë si rënien e mureve të Europës Lindore duke themeluar vlerat e lirisë dhe demokracinë. Basha shkruan në twitter se Gjermania është mbështetja më e madhe e Shqipërisë për integrimin e vendit dhe frymëzim për vendet e tjera për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
"Ribashkimi i 30 vjet më parë shënoi nisjen e rënies së mureve në mbarë Europën lindore dhe hodhi themelet e bashkimit rreth vlerave të lirisë, demokracisë e dinjitetit njerëzor. Natyrshëm edhe ne e kremtojmë sot këtë ditë si përkujtesë në rrugën drejt përmbysjes së regjimit që na mbajti për 50 vjet larg vlerave europiane por edhe si frymëzim për rrugën plot sfida në mbrojtje të lirisë. Sot jemi krenarë për një aleat si Gjermania që është mbështetësja më e madhe e integrimit në BE të Shqipërisë dhe që qëndron krah nesh në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë", shkruan Basha
Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka uruar presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për 30 vjetorin e Bashkimit të Gjermanisë duke vlerësuar rolin që Gjermania ka luajtur për integrimin e Shqipërisë. Meta shpreh vullnetin se do të nxisë të gjithë aktorët institucionalë të vendit të vijojnë pa ndalur me reformat dhe plotësimin e kushteve që do të mundësojnë avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
"I nderuar zoti President, Frank-Ëalter Steinmeier, Më lejoni që me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe popullin mik gjerman. Në këtë jubile të rëndësishëm të 30 vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, si dhe ndjenjat e thella të miqësisë ndërmjet dy popujve tanë.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për qasjen strategjike të Gjermanisë në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik të këtij viti të Këshillit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë. Mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e Gjermanisë mike është mirëpritur nga mbarë populli shqiptar.
Ju siguroj në vullnetin tim të palëkundur për të nxitur të gjithë aktorët institucionalë të vendit të vijojnë pandalur me reformat dhe plotësimin e kushteve që do të mundësojnë avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Bashkë me urimet më të mira për Ju, si dhe për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të Gjermanisë, ju lutem, pranoni zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë", shkruan Meta.
Sjellja e Gjermanise ne Kosove e Shqiperi, eshte pasqyrim i dallimeve te tyre me SHBA. Kjo mendoj eshte arsyeja qe gjermanet qartazi mbeshtesin Kurtin ne Kosova e opoziten ketu. Pra jane totalisht te anshem, bile here-here luajne piset.
Përgjigju