300 familje në Bashkinë e Vorës kanë marrë lejet e legalizimit të banesave të tyre, përmes procedurave të lehtësuara dhe për herë të parë falas.Në këto dy vite, në Vorë janë legalizuar 1 mijë objekte dhe sipas Ministres Gjermeni, hartimi dhe miratimi i Planit të Përgjithshëm Vendor, proces që pritet të përfundojë brenda këtij viti do të rrisë numrin e legalizimeve.

Lajmi i mirë për qytetarët e bashkisë Vorë, të cilët kanë plotësuar dhe dorëzuar formularët e vetëdeklarimit për legalizim të objekteve që disponojnë pranë ALUIZNI është se, me përfundimin dhe miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor, hartimi i të cilit po financohet nga qeveria ritmi i legalizimeve do të jetë më i shpejtë.Legalizimi i ndërtimeve informale është hapi i parë që i çel rrugën procesit të integrimit dhe kohezionit social të komunitetit”, tha Ministrja në takimin me banorët përfitues të procesit të legalizimit.

Bashkia Vorë, për shkak dhe të pozicionit të saj gjeografik kategorizohet, si një nga zonat me informalitet të lartë të ndërtimeve pa leje. Janë 5,600 qytetarë që kanë plotësuar formularët e vetëdeklarimit për ndërtime pa leje pranë ALUIZNI-t dhe deri më tani është kryer identifikimi dhe matjet në terren për 2,200 objekte. Sipas kreu të ALUIZNI, Artan Lame ende nuk është kryer asnjë legalizim në zonën e Gërdecit.

Problemi i Gërdecit është i dhimbshëm. Shumica e banorëve nuk e kanë bërëvetëdeklarimin, sepse qeveria e asaj kohe, pas tragjedisë deklaroi se do t’u ndërtonte shtëpitë dhe këtë proces e la përgjysmë. Në këtë mënyrë banorët i përfunduan vetë shtëpitë e rindërtuara pas dëmeve të mëdha. Ne po punojmë për ta zgjidhur këtë situatë dhe jam i sigurt se do ta çojmë deri në fund”, tha Lame.

Ministrja Gjermeni shprehu angazhimin e saj për të përfunduar legalizimin e çdo banese në Gërdec, pavarësisht vështirësive apo zvarritjeve të qeverisë së mëparshme.
 
Deri më sot,në të gjithë Shqipërinë janë legalizuar rreth 50 mijë objekte. Synimi mbetet që deri në mesin e vitit 2017, numri i objekteve të legalizuara të jetë 100 mijë, duke  mbajtur premtimin për legalizim e zonave masive informale brenda këtij mandati qeverisës.

Në ceremoninë e shpërndarjes së lejeve morën pjesë, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI, Artan Lame dhe prefekti i qarkut Tiranë, Sadi Vorpsi. 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)