Një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur e pajetë në një hotel 2 katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ndërsa dyshimet e para të policisë flasin për një aksident tragjik në banjë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, e reja është gjetur pranë dushit, me ujin ende duke rrjedhur. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se ajo ishte e shtrirë në kurriz, me kokën e anuar, çka forcon dyshimin se mund të ketë rrëshqitur teksa po lahej dhe ka humbur jetën në vend.

Hetuesit bëjnë me dije se në trupin e saj nuk janë konstatuar shenja dhune, si hematoma apo dëmtime të tjera të jashtme.

Dyshohet se 31-vjeçarja kishte ndërruar jetë 2 deri nw 3 ditw mw parw. deri sa trupi i saj u zbulua në banjë.  Sipas burimeve, trupi i saj kishte nisur të dekompozohej dhe në dhomë ndihej era e rëndë.

Sipas dëshmive, ajo kishte qëndruar në këtë hotel prej muajit dhjetor dhe ishte frekuentuese e zonës së Shkëmbit të Kavajës. Të dhënat tregojnë se ajo vinte për disa javë në këtë zonë largohej dhe rikthehej sërish. Dëshmitarët e përshkruajnë si një person të qetë, që bënte një jetë të thjeshtë dhe nuk konsumonte alkool.

Zbulimi i ngjarjes erdhi pasi nëna e saj ngriti alarmin duke qenë se  nuk arriti të lidhej me të bijën përmes telefonit. E shqetësuar, ajo njoftoi hotelin, ndërsa punonjësit hapën derën me çelës rezervë dhe e gjetën 31-vjeçaren pa shenja jete, duke lajmëruar menjëherë Policinë.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka nisur hetimet edhe për dy administratorët e hotelit, pasi dyshohet se nuk kishin lëshuar kupon tatimor për qëndrimin e saj që prej dhjetorit 2025.

Ndërkohë, nga trupi i viktimës janë marrë mostra biologjike që janë dërguar në laboratorin kriminalistik në Tiranë, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

 

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës-Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve V. E., 38 vjeç, dhe A. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, administratorë të një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pasi:

Ditën e djeshme, në ambientet e këtij hoteli është gjetur pa shenja jete shtetasja kosovare J. H., 31 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 2 administratorët nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit, ku shtetasja qëndronte prej muajit dhjetor 2025.

Materialet u  referuan në  Prokurori për vlerësim, ndërkohë që priten rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 31-vjeçares.