33 vite nga ekzekutimi i Havzi Nelës, Basha: Mësojmë nga vargjet e tij se asnjë regjim nuk është i përjetshëm! Meta: Simbol i fjalës së lirë

33 vite nga ekzekutimi i Havzi Nelës, Basha: Mësojmë nga vargjet e tij se asnjë regjim nuk është i përjetshëm! Meta: Simbol i fjalës së lirë

Havzi Nela

33 vite me parë Havzi Nela, martir i demokracisë, është dënuar me vdekje, duke u varur me 10 gusht 1988. Në 33-vjetorin e vdekjes së tij kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kujtuar poetin Nela, ndërsa shkruan se ekzekutimi i poetit u krye “grahmat e fundit të bishës totalitare”.

Lideri i demokratëve thotë se nga jeta dhe vargjet e Nelës mësojmë se asnjë regjim nuk është i përjetshëm dhe se detyra e secilit është të ngrejë krye kurdo dhe kudo, kur liritë dhe të drejtat dhunohen.

Postimi i Bashës:

33 vite më parë, regjimi gjakatar komunist në Shqipëri ndërmori një nga aktet më barbare, duke ekzekutuar me varje në litar poetin, mësuesin dhe intelektualin, Havzi Nela. Ekzekutimi mizor u krye në grahmat e fundit të bishës totalitare. Atëherë kur era e lirisë po sfidonte ideologjinë kriminale që ndau Europën dhe kur spazmat e diktaturës ishin të dukshme kudo, dënimi me vdekje i poetit disident në prag të zhvillimeve demokratike, ishte një akt sa për të goditur shpirtin e rezistencës, aq edhe hakmarrje ndaj guximit me të cilin Havzi Nela sfidoi me jetën dhe veprën e tij diktaturën.

Kjo hakmarrje primitive u bë për t’i fshehur shqiptarëve dhe botës mbarë ekzistencën e njerëzve si Havzi Nela që edhe në ditët më të errëta të regjimit totalitar, qëndruan me sytë nga Perëndimi, duke i kënduar lirisë dhe demokracisë, në mbrojtje të rrënjëve tona, që “lindin aty ku dielli perëndon”. Mirëpo atë që nuk e bëri dot burgu, tortura dhe internimi, nuk e bëri dot as vrasja, e cila e përjetësoi Havzi Nelën, sepse frika me të cilin regjimi sundonte, nuk qe kurrë më e fortë se dashuria për liri, demokraci dhe atdhe. Në këtë ditë, të kujtosh nuk do të thotë thjesht të mos harrosh, por të jetosh në përmbushje të amanetit të martirit të lirisë.

Vetëdija patriotike e Havzi Nelës se regjimi lirivrasës ishte i papajtueshëm me shpirtin e shqiptarit, është një mësim i vlefshëm për të gjitha kohërat, e në veçanti kur koha ka sjellë në trajta të tjera regjimin dhe bijtë dhe bijat e papenduar të xhelatëve të Havzi Nelës. Ne mësojmë nga jeta dhe vargjet e tij se asnjë regjim nuk është i përjetshëm, se detyra e secilit është të ngrejë krye me guxim, kurdo dhe kudo, kur liritë dhe të drejtat dhunohen dhe perspektiva perëndimore e Shqipërisë rrezikohet.

Mbi të gjithë na rëndon pesha e përgjegjësisë jo vetëm për të nderuar patriotin e pathyeshëm dhe poetin martir, por për tu ngritur në lartësinë e veprës kurajoze të Havzi Nelës. Zemërzjarrtë dhe të gatshëm për të bërë çdo betejë për liri dhe për Shqipërinë demokratike dhe europiane. Lavdi përjetë Havzi Nelës!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:35
33 vite nga ekzekutimi i poetit Havzi Nela, Meta: Simbol i fjalës së lirë dhe dinjitetit njerëzor

Përmes poezisë "O Liri, O Vdekje" të Havzi Nelës, presidenti Ilir Meta ka kujtuar poetin në 33-vjetorin e vdekjes së tij. Përmes një postimi në "Facebook", Meta shkruan se poeti ishte simbol i fjalës së lirë.

Postimi i Ilir Metës: 

Havzi Nela, simboli i fjalës së lirë dhe dinjitetit njerëzor, edhe në kohët më të errëta jeton përmes poezive të tij, që frymëzojnë vetëm një zgjedhje: LIRINË!

O Liri, O Vdekje

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!
Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!
Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!
T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,
Kët s’ia fali vetes, kjo m’ban me u mendue.
Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?
Veç me përtyp bukë, me u rropatë si kalë?
Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,
Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.
Deri kur durim, deri kur me shpresë?
Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk due.
Me durim e shpresë nuk due të vdes.
Si jeta dhe vdekja duhen meritue.
S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri
Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.
Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!
Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë