34 milionë lekë në dhomën e 
fëmijëve, burg gjyqtarit Miri

TIRANE - Pas një seance maratonë prej më shumë se 3 orë, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të lërë në burg deri në përfundim të hetimeve gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri të dyshuar për veprën penale të korrupsionit të funksionarëve të drejtësisë. 

Ish-gjyqtari i çështjes "Gërdeci" dhe "Fullani" u ndalua orët e para të mëngjesit të së premtes në kuadër të hetimit për marrjen e 20 mijë eurove në këmbim të lirimit të të dënuarit për vrajse Gentian Doda. Në shtëpinë e Mirit gjatë kontrollit të policisë u gjet një shumë monetare me vlerë 340 milionë lekë të vjetra, të cilat nuk rezultonin në formularin e deklarimit të pasurisë nga ana e gjyqtarit.

Seanca e kësaj të diele u zhvillua pa praninë e mediave, ndërsa gjyqtari Miri i pranishëm në sallë mësohet se ka kërkuar lirim nga qelia dhe hetim në gjendje të lirë. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe avokati i tij Ardian Visha i cili deklaroi se gjyqtari Miri vuan nga një sëmundje tumorale në kokë dhe paratë e gjetura në shtëpinë e tij do të përdoreshin për kurimin e gjyqtarit.

Sipas Vishës një pjesë e parave të gjetura në shtëpinë e gjyqtarit ishin të deklaruara. "Shuma e parave është relative në kushtet e kohës sonë kapitaliste ku jetojmë, ky gjyqtar ka kohe që punon. Nuk është paraja e tij e gjitha. Një pjesë ishin të tijat ndërsa të tjerat ishin pjesë e një marrëveshje kontraktuale me një familjarë. Parat do të përdoreshin për kurimin e tij. Po të kishte prova për arrestim ta bënin para kontrollit të banesës ose paralelisht, jo kështu. Para së gjithash kërkonim nga prokuroria të mbështeste në prova qëndrimin e saj e të interpretoi pse kontroll banese në nëntor për një ngjarje të ndodhur në maj? Parat e gjetura janë të familjarëve të gjyqtarit. Veprimi është i ligjshëm tha Visha. 

Por cilat janë provat e akuzës që çuan në prangosjen e gjyqtarit Miri? 
Sipas kërkesës së prokurorit, Klodian Braho provat janë, përgjime telefonike, pamje filmike të një lokali në fushë krujë ku Kujtim Miri i afërmi i gjyqtarit merr paratë nga Alban Buçi. Pas pagesës së parave deklaroi prokurori Braho, Gentian Doda i dënuar fillimisht për një vrasje të '97 e më pas me akuzë të ndryshuar në plagosje me pasojë vdekjen, është njoftuar në burg se “Porosia u krye, ti del nga korriku”.

Këtë njoftim të cilën Prokuroria e Krimeve e përdori si provë në gjykatë ka mundur ta realizojë nga përgjimet e kryera edhe në burgun e Fushë Krujës tek dy telefonat që përdorte Gentian Doda. Gjyqtari Miri ishte pjesë e tre gjyqtarëve që patën në Apel dosjen e Dodës, ndërsa ai sëbashku me Agim Bendon lanë në fuqi ndryshimin e akuzës së bërë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Mat.

Por edhe për këtë, avokati Ardian Visha u shpreh se Prokuroria nuk ka bërë me dije asnjë provë, pasi hetimi ka nisur në muajin janar dhe filmimet e pretenduara i përkasin muajit maj. Sipas Ardian Vishës, nëse Prokuroria do të kishte prova atëherë do të kryente kontrollin që në muajin maj dhe jo tani, dhe të përdorte presionin publik për gjetjen e 34 milionë lekëve në banesën e gjyqtarit. 

Gjyqtari i ruante paratë në dhomën e fëmijëve
Burime për Report Tv nga grupi hetimor deklaruan se pas kontrollit të banesë së gjyqtarit Miri me mandat të Gjykatës, u vendos që ai të arrestohet në mesnatë dhe pse operacioni “Vrasja e Dytë” nisi paraditen e të enjtes. Kjo sqaruan burimet për shkak se u verifikua deklarata e pasurisë e dorëzuar për efekt të vettingut dhe aty ka rezultuar se nuk ishin pasqyruar 34 milionë lekët e mbajtura në çanta të ndara në dhomën e fëmijëve të gjyqtarit dhe në dhomën e tij të gjumit. 

Shkëlqim Miri rrezikon 5-12 vjet burg
Gjyqtari i Apelit të Tiranës Miri rrezikon një dënim nga 5 deri në 12 vjet burg, nëse shpallet fajtor, në bazë të akuzës për korrupsion pasiv të ngritur nga Prokuroria. Dyshohet se pasi është dorëzuar shuma prej 20 mijë eurosh, Gentian Doda është lajmëruar me telefon se ai do të lirohej. Është zbuluar se i arrestuari Alban Buçi, një prej sekerëve që është bërë ndërmjetës për pagesën e parave te gjyqtari Miri, është kushëri i Gentian Dodës. 

Pasditen e së premtes, policia ka ekzekutuar dhe dy vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda për arrestimin e dy persona të tjerë të dyshuar si sekserë të gjyqtarit në marrjen e pagesës prej 20 mijë euro. Në prangat e policisë ka rënë kushëriri i gjyqtarit Kujtim Miri si dhe Alban Buçi. Policia e vuri në pranga Shkëlqim Mirin mbrëmjen e së enjtes me akuzën e korrupsionit, ndërsa në banesë iu gjetën në disa çanta në dhoma rreth 34 milionë lekë të reja të padeklaruara. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 6 Janar, 20:03

    Si iu duket trafiku rrugor në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Bamir Topi: Berisha e Rama prej 2008 janë bashkë, vijnë nga kontingjenti i komunistëve shqiptarë

Bamir Topi: Berisha e Rama prej 2008 janë bashkë, vijnë nga kontingjenti i komunistëve shqiptarë