Në Kolesjan të Kukësit, aty ku lagja Bulica puthet me qiellin dhe malin, koha duket se ka ndaluar për të marrë frymë. Mes këtij peizazhi që ende mban aromën e jetës së ashpër malore, një kullë trekatëshe qëndron si një roje e heshtur prej 102 vitesh. Muret e saj, të rrahura nga era e të gërryera nga braktisja, nuk janë thjesht gurë mbi gurë. Ato janë faqe të një libri historie që pret të lexohet.

“Këtu kanë jetuar Mahmuti dhe Ramadani i parë. Ata kanë qenë dy vëllezër. Dhe ata e kanë ndërtuar kullën.” tregon Kadri Bulica një prej trashëgimtarëve të kësaj kulle.

Gjithçka nisi në vitin 1920. Dy vëllezërit Bulica, me duart e regjura nga puna, hodhën themelet e asaj që do të bëhej streha e krenarisë së tyre. Katër vite rresht, guri u gdhend me daltën e shpresës, deri në vitin 1924, kur kulla hapi dyert.

“Gurët kanë ardhur nga Shkupi, ustallarët nga Kalisi dhe tetë kuaj kanë mbajtur gurë dhe rërë për ndërtimin e kullës” shpjegon Kadri Bulica.

Nuk ishte thjesht një shtëpi. Ishte një fortifikatë. Një bashkësi ku dy familje ndanin jo vetëm bukën e kripën, por edhe fatin, nën të njëjtën çati të gurtë.

“Edhe avllinë e ka pasur me frëngji. Nga vitet ’70 janë hapur dritaret se të gjitha kanë qenë të vogla” tregon Kadriu.

Por historia, shpeshherë, shkruhet me zjarr. Gjatë Luftës Antifashiste, kulla u bë bastion i lirisë, një bazë e pathyeshme për partizanët. Por ky guxim e pati një çmim.

“Kjo shtëpi është djegur në vitin 1943 nga gjermanët sepse një nga xhaxhallarët e mi, Shkukri Bulica ka qenë komandant i batalionit të Lumës. Gjyshërit janë detyruar ta ringrejnë përsëri pas lufte”, shpjegon nipi i familjes Bulica.

Brenda kësaj rrënoje, mbijetojnë thesare që nuk i gjeti zjarri. Pusi i vjetër – një inxhinieri e mençur e kohës, ku blegtorët ruanin freskinë e mundit të tyre.

“Ne jo vetëm mbushnim ujë, por gjatë verës, kur na tepronte mish, e lidhnim me litar dhe e fusnim në pus që të rrinte i freskët deri në një javë, se nuk kishim frigorifer atëherë.” tregon Kadriu.

Kjo sofër nuk është thjesht dru. Është simboli i mikpritjes lumjane, ku miku trajtohej si mbret dhe familja si altar. Sot, vajza e Mahmutit është e fundit që mban mend gjallërinë e asaj sofre, por kujtesa refuzon të shuhet.

“Vetëm kjo më ka mbetur nga objektet e vjetra të kullës, një sofër e ndërtuar në vitin 1959. Ishin disa ustallarë nga fshati Tërshen që punonin edhe gurin edhe drurin. Dhe kjo sofër ka qëndruar gjithmonë në katin e dytë në atë që i thonim, sokak i odës së miqve. Merrte deri në 12 veta. Se kjo shtëpi nuk rrinte asnjëherë pa miq” thotë Kadri Bulica.

Sot, Kadri Bulica nuk kërkon vetëm të kujtojë, por të ringjallë. Përmes programit të rijetëzimit, kjo kullë po përgatitet për një lindje të dytë.

“Unë dua që kjo kullë të shkojë në identitetin e vet për vlerat që ajo ka. Të bëhet gjithashtu edhe një muze pasi ka shërbyer si bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. I takon të rinjve tani që të punojnë e ta vazhdojnë atë që u lanë të parët. Të mos qëndrojnë në emigrim por të vijnë të punojnë në tokën e vet.” është thirrja e Kadri Bulicës i cili shpreson se Kulla Bulica do të kthehet si dikur.

Në një krahinë si Luma, ku kullat po rrallohen dita-ditës, kjo ndërtesë është një thirrje për identitet. Së shpejti, këto mure nuk do të dëgjojnë më jehonën e luftës, por zhurmën e këndshme të sofrës së shtruar dhe hapat e turistëve që kërkojnë shpirtin e vërtetë të malësisë. Kulla Bulica po zgjohet. Dhe këtë herë, për të mos fjetur më.