34 vite nga ekzekutimi i poetit disident Havzi Nela! Familjarët ende kërkojnë drejtësi! Përkujtohet nga politika

34 vite më parë në qendër të Kukësit u ekzekutua me varje, poeti Havzi Nela duke shënjuar edhe veprën e fundit kriminale të sistemit komunist në rënie. Poeti disident i Kukësit u kujtua sot nga familjarët e tij e përfaqësues të Partisë Demokratike, të cilët vendosën kurora lulesh në monumentin e heroit antikomunist.

Vëllai i tij Shukri Nela ende kërkon drejtësi e dënim për ata që firmosen urdhër- ekzekutimin e Havzi Nelës. Kryetari i PD Kukës, Admir Sinamati, në fjalën e mbajtur pas vendosjes së kurorave me lule para bustit u shpreh se 10 gushti do të kujtohet si dita e Martirit të Demokracisë, Havzi Nela.

“10 gushti është një ditë solemne. Është ditë solemne se ka të bëjë me përkujtesën. Ka të bëjë me nderimin për Martirin e Demokracisë, Havzi Nela dhe Partia Demokratike do ta shohë 10 gushtin gjithmonë si të tillë. 34 vjet ma parë regjimi obskurantist ndëshkoi me varje Havzi Nelën, Martirin tonë. Pikërisht në këtë vend ku jemi mbledhë të nderojmë Martirin”, tha ai.

34 vjetori i ekzekutimit të Havzi Nelës u përkujtua edhe nga politika shqiptare. Një reagim pati, ish-kreu i Partisë së PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e Monika Kryemadhi.

Basha shkruan se para 34 vitesh regjimi komunist ndërmori një nga aktet më barbare të historisë së tij famëkeqe, duke dënuar poetin me vdekje. Ai shkruan se pas 21 vitesh tortura në burg dhe internime, regjimi komunist nuk mundi ta mposhte shpirtin e lirë të Havzi Nelës dhe prandaj e ekzekutoi në mes të Kukësit. 

"Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull", shkruan Basha. 

Berisha thotë se Havzi Nela u vra për fjalën e lirë, duke akuzuar se ekzekutimi i tij është firmosur nga Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, babai i Edi Ramës. Ndërsa shton se Rama sot duhet të kërkojë falje.

"Sot mbarë kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para kujtimit dhe veprës së pavdekshme të martirit të lirisë, poetit disident, heroit të fjalës, Havzi Nela, i cili 34 vjet më parë u var për fjalën e lirë për vargjet e tij në sheshin kryesor të qytetit të Kukësit me firmën e xhelatëve të diktaturës staliniste Ramiz Alia dhe Kristaq Rama, babai bilogjik i Edi Ramës", shkruan Berisha.

Ndërkohë, Meta e Kryemadhi kanë postuar në ‘Facebook’ nga një poezi të Havzi Nelës, ndërsa shkruajnë se vargjet e tij janë aktuale edhe në ditët e sotme.

Ishte data 10 gusht 1988, ora 02:00 të mëngjesit kur Havzi Nela mbylli sytë përgjithmonë pasi u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit, pas miratimit përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar nga Ramiz Alia. Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh  në kampet famëkeqe të komunizmit, u mbyll në burgjet e Burrelit dhe Spaçit e me pas në 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut. Poeti ka qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk u pajtua kurrë me rregullat komuniste. Përmes vargjeve prekëse ai gjithmonë shprehte mllefin që ndjente nga regjimi monstruoz dhe ndjenjën për lirinë që nuk e provoi kurrë.

Më 22 maj të 1967-ës ai u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalimin në Kosovë. E gjithë pasuria e tij u konfiskua dhe gruaja e tij u dënua me dhjetë vjet burg. Më pas iu shtuan edhe tetë vite në burg, sepse konsiderohej një armik i zjarrtë i Partisë dhe popullit. Ai u la i lirë për një kohë të shkurtër, por më 12 tetor të vitit 1987 ai u arrestua dhe internua në fshatin Arrën. Gjykata vendosi që Havzi Nela të dënohej me varje. Havzi Nela ishte mësues e poet i cili kërkonte lirinë e shprehjes e mendimit e duke qenë nën presionin e përndjekjes së ish-regjimit komunist u detyrua të kalonte kufirin në ish-Jugosllavi bashkë me bashkëshorten.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Maks: 10/08/2022 17:00

    Respekt per familjatet e ketij poeti Do ishte ne nderin e gazetes te botoj dosjen pse u denua ky poet dhe kush ishin ata deshmitar qe e futen ne dhe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktori Mirush Kabashi ‘Qytetar Nderi’ i Durrësit pas vdekjes. E bija, Mendi Kabashi: Është i vonuar, do doja ta merrte sa ishte gjallë!

Aktori Mirush Kabashi ‘Qytetar Nderi’ i Durrësit pas vdekjes. E bija, Mendi Kabashi: Është i vonuar, do doja ta merrte sa ishte gjallë!